Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka reaguar lidhur me diskutimet e ashpra që u zhvilluan ditëve të fundit rreth Doracakut të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
Kurti tha se këto ditë qeveria ka qenë cak i një fushate të egër propaganduese, duke krijuar manipulime dhe kauza të paqena.
“Të pa interesuar për të vërtetën e plotë dhe për kritikën në shërbim të përmirësimit dhe përparimit, përfaqësues të partive politike, pretendentë për të qenë parti politike, e komentatorë që mbase synojnë politikën, iu rrekën sulmeve ndaj qeverisë duke u paraqitur si kinse gardian të familjes. Çdo pretendim i tyre, doli të jetë i pavërtetë. Doracakët në fjalë, asnjëherë nuk kanë qenë kurrikulë, as tekste shkollore, as lëndë obligative, as tekst obligativ apo tekst për nxënës”, tha Kurti.
Sipas tij, Qeveria ka bërë politika për fëmijët dhe familjen, derisa përmendi shtesat dhe programet që “pasurojnë përvojën shkollore për nxënësit”.