Emisioni “Inside21”, siguroi pamjet ekskluzive nga vendngjarja ku duket se ndodhi një mosmarrëveshje verbale, e cila më vonë u bë e kobshme për të akuzuarin B.M. Ky video material i konsideruar si provë nga Prokuroria Themelore e Kumanovës, doli të jetë e pamjaftueshme për të vërtetuar gjendjen faktike. Por, sipas pamjeve, shihet qartë se B.M. ofrohet te vetura taksi ku shofer ishte M.P. dhe aty shkëmbejnë komunikim verbal. Në asnjë nga sekuencat e këtyre 4 minuta e 55 sekonda nuk shihet që i akuzuari B.M. ka sulmuar fizikisht, përveç hapjes dhe mbylljes së derës nuk vërehet asnjë kontakt fizik, duke i shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarit M.P. siç thuhet në aktakuzë nga Prokurori i lëndës Goran Peshevski.
“Derisa viktima ishte ulur në automjeti e ka goditur papritur me grusht në pjesën e kokës dhe viktima për t’u mbrojtur ka ngritur dorën e majtë, por në atë moment i pandehuri ka shtyrë fort derën me qëllim që ta mbyllë, duke i shkaktuar lëndim të rëndë fizik – një thyerje në zonën e nyjës së bërrylit të majtë dhe një lëndim në kokë”, thonë nga Prokurira Themelore Publike e Kumanovës.
Për të qenë më absurde, i dëmtuari në këtë rast M.P nuk ka kërkuar ndihmë të menjëhershme mjekësore edhepse Qendra Emergjente e Spitalit të qytetit ka qenë përballë rrugës “Sava Kovaçeviq” ku edhe ka ndodh ngjarja. Nuk e ka denoncuar rastin as në SPB-Kumanovë për të kërkuar mbrojtje nga policia në rast se ishte sulumuar. Si për ironi të fatit, pamjet filmike të ngjarjes në fjalë janë marrë nga kamera e sigurisë së objektit të Emergjencës. Këto pamje tregojnë që edhe pas fjalosjes së dy palëve, taksia vetëm se është spostuar për pak metra dhe ka qëndruar për disa minuta aty.
“Gjendemi para Qendrës Emergjente në Kumanovë ku vetëm sa kalon rrugën është objekti ku ka qenë kantier ndërtimi dy vite më parë ku edhe ka ndodhur rasti famëkeq, për personin i cili tani akuzohet dhe do të duhet të bartë përgjegjësi për problemin të cilin nuk e ka bërë”, raporton Adnan Qaili – gazetar i TV21.
Si rrjedhojë në shkallë të parë, vendimi merret në dëm të të akuzuarit B.M. Burg me kusht për 3 muaj!
“I akuzuari B.M. i pa dënuar deri më tani dhe nuk ka procedim për vepër tjetër penale, shpallet FAJTOR sepse: Më datë 22.12.2022, rreth orës 07:15 në rr. ‘Sava Kovaçeviq’ në Kumanovë, përballë ‘Qendrës Emergjente’, para objektit në ndërtim e sipër, nga pakujdesia ka lënduar rëndë personin M.P. me ç’rast i akuzuari B.M. ka kryer veprën penale “Lëndim trupor” sipas Nenit 130 të Kodit Penal, përcakton DENIM MR BURG PËR KOHËZGJATJE 3 MUAJ me kusht që brenda një viti mos të kryej asnjë vepër tjetër penale”, theksojnë nga Gjykata Themelore e Kumanovës.
Ky vendim u ankimua nga pala mbrojtëse e B.M. por edhe Gjykata e Apelit e miraton vendimin e Penales.
Pas aktgjykimit të formës së prerë, organet e drejtësisë, të dëmtuarit M.P. i hapin rrugën për të nisur një proces tjetër gjyqësor, në Gjykatën Civile për tu dëmshpërblyer për pasojat fizike, psiqike e shpirtrore…