Shkruan: Hamzi Ibraimi
Shkupi, qyteti në të cilin jetoj, dikur ishte një vend i mrekullueshëm. Ai ishte zemra e çdo njërit prej nesh. Në këtë qytet mësova shumë gjëra – si të mbijetoj, kujt t’i besoj dhe kujt jo. Shkupi më mësoi të dalloj njerëzit e ndershëm nga ata të pandershëm.
Ky qytet, që dikur çdo kush e kishte zili për të jetuar, për fat të keq, po shkatërrohet.
Dikur të gjithë ndienin mall të dalin në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, sepse ajo ishte jeta e qytetit tonë, jo vetëm për ne, por edhe për ata që vinin nga jashtë.
Çarshia jonë e bukur ishte një pasuri e vërtetë. Ndërsa sot, fatkeqësisht, ajo është e shkatërruar, e ndotur nga fenomene që nuk kanë qenë kurrë pjesë e saj. Bukuria e saj e dikurshme është zëvendësuar nga indiferenca, dhe vlerat morale e kombëtare janë lënë pas dore.
Më vjen të qaj dhe të bërtas: pse ne shqiptarët po shkatërrojmë vetë kulturën, traditën dhe trashëgiminë tonë? Pse nuk i ruajmi vendet tona historike?
Përse jemi bërë kaq shpirtprishur, duke e shkatërruar me duart tona Çarshinë e Vjetër të Shkupit, e cila është një dëshmi e historisë sonë?
Ajo na tregon se kemi qenë gjithmonë pjesë e këtij vendi.
Dikur, esnafi ishte një shtyllë e fortë e çarshisë. Sot, për fat të keq, zëri i esnafit nuk dëgjohet, dhe askush nuk po e mbron çarshinë nga shkatërrimi. Gjatë një udhëtimi në Sarajevë, pashë se si atje Çarshia ruhet si një thesar i paprekur nga koha. Esnafët e Sarajevës e mbrojnë me përkushtim trashëgiminë e tyre, duke pasur respekt për të kaluarën dhe amanetin e të parëve.
Esnafët e Çarshisë së Vjetër të Shkupit duhet të ndjekin shembullin e atyre në Sarajevë, për të mbrojtur kulturën dhe trashëgiminë që na është lënë. Koha ka ardhur që të themi mjaft ndaj shkatërrimit të mëtejshëm. Çarshia ishte dhe duhet të mbetet një pjesë e rëndësishme e identitetit tonë.
Ne duhet ta ruajmë dhe ta trashëgojmë këtë thesar brez pas brezi.
Esnafi dikur ishte shtylla kryesore e çarshisë, dhe duhet të vazhdojë të jetë. Megjithatë, sot esnafi nuk ka të njëjtin ndikim. Tradita e mjeshtërisë, e përcjellur nga një brez në tjetrin, po zhduket, ndërsa komercializmi dhe mungesa e vlerave po marrin përparësi. Çarshia nuk është më vendi i ndershmërisë dhe edukimit, por një hapësirë që po humb vlerat e saj përballë indiferencës.
Është koha që ne, Shkupjanët, të kujtojmë se çfarë përfaqëson Çarshia e Vjetër.
Ajo nuk është vetëm një hapësirë fizike, por një simbol i asaj që jemi si popull.
Duhet të veprojmë për ta mbrojtur këtë thesar të çmuar, përndryshe humbja e Çarshisë do të jetë humbja e shpirtit dhe identitetit tonë.
Andaj, të nderuar esnafë, ejani që të mbrojmë Çarshinë e Vjetër dhe të bëhemi mburojë për trashëgiminë dhe identitetin tonë kulturor!