Pas ankesës së qytetarit Arif Arifovski nga Prespa, se ka hasur në probleme me drejtësinë në Manastir gjatë procedurës gjyqësore për zbardhjen e rastit për aksidentin në të cilin humbi jetën bashkëshortja e tij, Ismeta Arifoska, www.ora24.tv tentoi të marrë qëndrim nga vetë Prokurori Bllagojçe Dimovski, por ai na tha se do duhet të marrim qëndrim vetëm në rrugë zyrtare përmes Prokurorisë Publike.
Ndërkohë për rastin në fjalë nga Prokuroria u përgjigjën se në ditën e ngjarjes ekipet kujdestare të Prokurorisë menjëherë kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer inspektime. Siç thonë nga Prokuroria, pas dëshmive të mbledhura nga prokuroria, Gjykata fillimisht ka vendosur masën e arrestit shtëpiak për të dyshuarin që ka shkaktuar aksidentin, ndërsa pas procedurë hetimore më 17 gusht të vitit 2023 është ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit J.S. nga Resnja, për veprën “Krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion” nga neni 300 paragrafi 2 në lidhje me nenin 1 i K.P.
“Procedura hetimore përfundoi në më pak se 4 (katër) muaj, brenda afateve të përcaktuara në nenin 301 të KPP-së. Në seancën kryesore para Gjykatës Themelore të Manastirit janë paraqitur prova të shumta dhe janë marrë në pyetje gjashtë ekspertë (tre nga fusha e mjekësisë ligjore, dy nga fusha e komunikacionit dhe një ekspert nga fusha e psikiatrisë). Të gjitha konstatimet dhe mendimet e ekspertëve kanë lëvizur në një drejtim, pra kanë qenë në kundërshtim me tezën fillestare të prokurorisë se i akuzuari e ka kryer veprën me dashje të mundshme.
Nga Prokuroria pranojnë se e kanë rikualifikuar lëndën, ashtu siç deklaron edhe i dëmtuari Arif Arifoski.
“Duke marrë parasysh të gjitha provat e paraqitura dhe parimin e objektivitetit të parashikuar në nenin 15 të Kodit të Procedurës Penale, prokuroria kreu rikualifikimin e akuzës për çështjen penale “Krimet e rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik. “nga neni 300 paragrafi 4 i K.P. me nenin 297 paragrafi 3 i Kodit Penal. Në seancën kryesore pas aktakuzës së ndryshuar, i pandehuri e ka pranuar fajësinë për veprën e kryer”, thuhet në përgjigje nga Prokuroria Publike, nga ku shtojnë:
Në bazë të të gjitha fakteve dhe provave të siguruara në mënyrë ligjore dhe të paraqitura në seancën kryesore, Gjykata Themelore e Manastirit me datën 17.11.2023 me aktgjykim e shpall të pandehurin fajtor për veprën “Krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pasurisë në komunikacion” nga neni 300 paragrafi 4 i K.P. me nenin 297 paragrafi 3 lidhur me nenin 1 të Kodit Penal dhe e ka dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 2 (vjet) e 8 (tetë) muaj, si dhe ndalimin e drejtimit të mjetit motorik të kategorisë “B” për një periudhë prej një viti pas vlefshmërisë ligjore të mjetit. Koha e qëndrimit në burg nuk ndikon në kohëzgjatjen e kësaj mase. I akuzuari është ankuar për masën e sanksionit të caktuar, pas së cilës Gjykata e Apelit Manastir ka nxjerrë aktgjykim më datë 03.01.2024, me të cilin është ndryshuar aktgjykimi i shkallës së parë në pjesën e dënimit të shqiptuar me burgim dhe i akuzuari është dënuar me burgim prej dy vitesh.
Nga Prokuroria Publike, theksojnë se pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, i dënuari ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Supreme për shqyrtim të jashtëzakonshëm të aktgjykimit të formës së prerë, për shkak të vendimit për sanksionin penal, e cila kërkesë është refuzuar si e pabazuar me aktgjykim të datës 13.03.2024. .
“Veprimi i përgjithshëm i PTHP – Manastir dhe prokurorit kompetent në rastin konkret është në përputhje me kompetencat ligjore dhe bazuar në faktet dhe provat që janë siguruar dhe paraqitur në mënyrë ligjore gjatë procedurës para prokurorisë dhe gjykatës. Në të njëjtën kohë, gjatë procedurës janë marrë parasysh të gjitha pretendimet e familjes së të dëmtuarit dhe ekspertët kanë dhënë mendimin e tyre në bazë të tyre”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Publike ndaj Ora24.tv/Almakos.
Ora24.tv dhe Almakos.com një ditë më parë publikuan rastin e Arif Arifoskit, i cili deklaroi se më 23 prill të vitit 2023, në aksin rrugor Manastir – Prespë, ai dhe bashkëshortja e tij kanë pësuar aksident trafiku, në të cilin, për fat të keq, bashkëshortja e tij, Ismeta Arifoska, 53 vjeçare, ka ndërruar jetë në vend të ngjarjes.
“Ne ishim duke udhëtuar për në Manastir, kur në këtë vend, personi Jani Simon tejkaloi dy vetura në dy korsitë të cilat vinin për lartë dhe na goditi neve në korsinë e tretë. Bashkëshortja ime ndërroj jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa unë kisha tronditje në tru. Dëshmitarët dhe ekspertizat dëshmojnë se Jani Simon ka qenë nën ndikimin e alkoolit. Edhe pse kështu figuronin të gjitha dëshmitë, edhe nga “dregeri” edhe nga ekspertizat, në seancën e dytë prokuroria i ndryshoi këto dëshmi dhe e ndryshuan kualifikimin e lëndës, me të cilën e nxorrën të dyshuarin Jani Simon se nuk ka qenë i pirë. Kam bërë ekspertiza private të cilat e dëshmojnë se ka pasur alkool në gjak rreth 0,81 peomil, por nuk mi pranuan as ekspertizat e as dëshmitarët. Për këtë fajtor është prokurori i lëndës i cili në vend që të më mbroj mua ai, përlahej me mua”, ka deklaruar mes tjerash Arif Arifovski, bashkëshort i të ndjerës. / Ora24.tv/Almakos