Intensifikimin e takimeve të ambasadorit rus Sergey Bazdnikin me politikanë në Maqedoninë e Veriut dhe aktivitetet e shtuara, zëvendës kryeministri Izet Mexhiti i komenton si politika të nivelit lokal. Referuar takimit të ambasadorit rus me kryetarin e komunës së Kumanovës dhe deklaratës që në fokus të bisedës së tyre ka qenë që në shkollat e komunës së Kumanovës të vendoset mësimi i gjuhës ruse, Mexhiti thotë se ambasadori rus i ka lëvizjet e kufizuara.
Izet Mexhiti, zv/kryeministër
“Nuk shkon më gjerë sesa Levica dhe këta të tjerat, të kufizuara i ka lëvizjet, në nivel lokal”.
Poashtu shtoi se për këtë duhe të reagojnë këshilltarët e komunës së Kumanovës.
Izet Mexhiti, zv/kryeministër
“Takimi ishte në nivel lokal, këtë duhet ta pyesni kryetarin e komunës. Këto nuk janë politika qeveritare ose takime në nivele qeveritare. Nëse ka në nivel qeveritar, atëherë do ta themi mendimin tonë. Këtu duhet të reagojnë ose ta thonë mendimin e tyre këshilltarët në Kumanovë”.
Lëvizjet e aktiviteteve ruse deputeti i Frontit Evropian Blerim Bexheti i komentoi si tendencë e devijimit nga partneriteti strategjik i vendit me vendet strategjike.
Blerim Bexheti, deputet i Frontit Evropian
“Përgjegjësinë për këto zhvillime…. për ndikimin e gazit rus që hapet në tërësi dhe takimet, mësimi në Kumanovë, tregon qartë për tendencën e devijimit nga partneriteti jonë strategjik me partnerët tanë strategjik që deri tani kanë qenë dhe të gjitha këto ngrejnë shqetësime tek qytetarët, tek opinioni, por edhe tek partnerët tanë strategjik”.
Para disa dite kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski u takua me ambasadorin e Rusisë në Maqedoninë e Veriut, Segrej Aleksandroviç Bazdnikin dhe nga ky takim u paralajmërua mësimi i gjuhës ruse në shkollat fillore dhe të mesme të Kumanovës. Pas kësaj deklarate pati shumë reagime nga partitë shqiptare, drejtorë te shkollave si dhe gjuhëtarë.
Emine Ismaili /SHENJA/