Lidhja Social Demokrate thotë se ligji për tregtinë jokorrekte është ligj I LSDM-së, pasi është përgatitur dhe miratuar gjatë qeverisjes së saj. Fatmir Bytyqi thotë se ky ligj nuk është deklaratë boshe, por masë konkrete që do ta mbrojë buxhetin e qytetarëve.
“Ligji nuk do të prishë zinxhirët e furnizimit dhe nuk do të shkaktojë kaos tregu. Ne i kemi dhënë përgjigje sistematike të gjitha manipulimeve që kanë rënduar qytetarët, e me këtë edhe standardin e tyre jetësor. Ky ligj rregullon 26 praktika të padrejta tregtare, me të cilat mbi 2500 produkte bujqësore dhe ushqimore do të kenë marzhe të kufizuara prej 10%. Kjo do të thotë se nuk do të ketë vend për rritje të pajustifikuara çmimesh dhe krijimin e kostove shtesë që ndikojnë drejtpërdrejt në buxhetet familjare”, tha Fatmir Bytyqi, LSDM.