Finalizohet operacioni policor i koduar “Fake Accounts”.
Operacioni, nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me DVP Durrës dhe me Komisariatin e Policisë Kurbin, me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë Njësia Shkodër, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit.
Hapte llogari false në rrjetet sociale “Facebook” dhe “Instagram”, nëpërmjet të cilave shqetësonte dhe fyente vazhdimisht një 24-vjeçare, si dhe mbante armë zjarri, pa leje, kapet dhe vihet në pranga 33-vjeçari.
Gjatë operacionit, në Fushë Mamurras, Policia gjeti në banesën e 33-vjeçarit dhe sekuestroi 1 armë zjarri kallashnikov dhe një sasi municioni luftarak.
Pas depozitimit të kallëzimit të një shtetase 24 vjeçare nga Durrësi në vitin 2023 mbi shqetësime të vazhduara nga llogari të ndryshme të fallsifikuara në rrjetet sociale “Facebook” dhe “Instagram”, Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, e cila regjistroi procedimin për veprën penale “Falsifikimi kompjuterik”, kanë bërë të mundur identifikimin e shtetasit që hapte këto llogari në rrjetet sociale, si dhe është siguruar informacion se ky shtetas mbante armë zjarri, pa leje.
Mbi bazën e provave të siguruara, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka urdhëruar kontrollin e banesës së shtetasit G. M., i dyshuar për hapjen e llogarive false në rrjetet sociale dhe për armëmbajtje pa leje.
Nga kontrolli i ambienteve të banesës së këtij shtetasi, në Fushë Mamurras, Kurbin, Policia gjeti dhe sekuestroi 1 armë zjarri tip kallashnikov dhe 2 krehra me 46 fishekë.
Në përfundim të veprimeve, shtetasi G. M., 33 vjeç u arrestua në flagrancë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Falsifikimi kompjuterik”.