Politikanë dhe struktura politike të caktuara, në mungesë të ofertës përpiqen të bëjnë defokus në opinion me tema etnike, kështu deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski në intervistën për Alsat duke porositur që përparësi duhet t’i jepet debatit për çështje ekonomike. Në lidhje me Ligjin e Gjuhëve, i cili po kontestohet në Gjykatën Kushtetuese, tha se bëhet fjalë për nismë e cila e konteston kushtetutshmërinë e 2 apo 3 neneve të ligjit dhe se nuk bëhet fjalë për shfuqizimin e plotë të tij. Ai nuk pret që të ketë destabilizim pavarësisht vendimit të kushtetueses.
“Njëra pyetje tingëllon kështu siç thoni ju, a mendoni nëse ata dy nene do të shpallen si antikushtetues do të shkaktojnë ose implikojnë reagime? Nuk mendoj. Nuk mendoj pasi, ata kanë të bëjnë me zbatimin e ligjit në kuadër të procedurave gjyqësore, të cilat edhe sot e kësaj dite nuk zbatohen, nëse e shohim objektivisht, nuk mendoj se do të shkaktojnë tensione. Pyetja është çfarë nëse Gjykata Kushtetuese deklarohet se janë në pajtueshmëri me Kushtetutën? Çfarë atëherë do të ndodhë, ja do t’u them unë, do të gjendet temë tjetër që të provokohen tensionet etnike, trazira etnike, jostabilitet, pasi ai është rrethi i vetëm që dinë të notojnë këto politikanë të korruptuar për ta mbrojtur pronën e fituar në mënyrë kriminale në vitet e kaluara në pushtet”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.
Mickoski pranoi se në periudhën pasi është bërë kryeministër ka realizuar takime me opozitarin Ali Ahmeti, partia e të cilit ka paralajmëruar protesta në vjeshtë për shkak të mospërfshirjes së saj në ekzekutiv.
“Po, kam pasur takim me zotëri Ahmetin dhe kemi biseduar në këtë temë. Qartë i kam treguar se cilat janë qëndrimet e mia për disa çështje të caktuara, i kam thënë se në cilat pjesë janë dallimet dhe çfarë është ajo që kjo kryesi e BDI-së, mua më pengon dhe politikat që kjo kryesi e BDI-së i udhëheqë dhe i ka udhëhequr në periudhën e kaluar. Ai i tregoi qëndrimet dhe pozitat e tij e kështu me radhë”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Mickoski, në intervistë tha se demokracia nuk është tryezë suedeze që të zgjedhim çfarë na pëlqen e çfarë jo, por duhet të pajtohemi me rregullat e vendosura. /Alsat.mk