Real Madridi do të synojë që ta sigurojë trofeun e parë për sezonin 2024/2025 në finalen e Superkupës së Evropës ndaj Atalantas. Karlo Ançelotti do të ketë disa dilema në aspektin e përzgjedhjes së formacionit startues, ani pse një prej tyre tashmë është zgjidhur, por jo në mënyrën që ai donte.
Eduardo Kamavinga u detyrua që të largohet nga stërvitja për shkak të një goditjeje të fortë që mori nga Aurelien Tçouameni. Mesfushori francez po mbante gjurin e tij dhe u pa se kishte shqetësime teksa po merrte rrugën në zhveshtore së bashku me stafin mjekësor të ekipit.
Testet e para mjekësore përjashtuan ndonjë lëndim serioz, megjithëse tani është raportuar se Kamavinga nuk do të luajë ndaj Atalantas.
“Kamavinga ka braktisur stërvitjen pas një dueli me Tçouamenin. Francezi po çalonte me këmbën e tij të majtë. Një lëndim serioz është përjashtuar në parim, por ai do t’i nënshtrohet testeve të enjten në Madrid. Ai nuk do të luajë në ndeshjen e sontme”, ka shkruar gazetari spanjoll Diaz në platformën X.
Kujtojmë se finalja e Superkupës së Evropës do të luhet në Varshavë të Polonisë, me fillim nga ora 21:00.