Barcelona zyrtarizoi blerjen e Dani Olmo-s nga Lajpcigu për një shifër afër 60 milionë euro. Një përforcim i madh për skuadrën e Hansi Flikk, që deri më tani kishte nënshkruar vetëm me të riun Pau Viktor.
Mirëpo sipas “Cadena SER”, klubi katalanas nuk mund të nënshkruajë ende Olmo-n në La Liga. Aktualisht, Barça nuk do të respektonte parametrat e “Fair Play”-it financiar të imponuara nga Havier Tebas. Për këtë arsye, nëse në të ardhmen e afërt nuk ka lëvizje largimi ose marrëveshje sponsorizimi, ekziston rreziku që Olmo të mos mund të luajë në ligën spanjolle.
Një situatë e vështirë dhe si zakonisht paradoksale, veçanërisht sepse Laporta dhe Deko po punojnë për të siguruar përforcime të mëtejshme për ekipin.
Shitjet e lojtarëve si Vitor Roke dhe Frenkie de Jong, të cilët kanë vlerë të mirë në treg, mund të ndihmojnë shumë në këtë aspect klubin blaugrana.