Ruben Loftus-Çik përgatitet të nisë sezonin e tij të dytë si kuqezi. I pari ishte pozitiv, por anglezi synon të tejkalojë pritshmëritë e gjithçka të mirë bëri vitin e kaluar. Këtë, por edhe shumë aspekte të tjera, ai i ka shpjeguar në intervistën për “La Gazzetta dello Sport”.
Si mund ta përshkruani jetën tuaj pas 12 muajsh te Milani?
Në jetë më pëlqen të eci me rrjedhën, pa u sforcuar. Dua të jem pjesë e botës. Në fillim u fokusova vetëm te futbolli, tani kuptoj më shumë për Milanon dhe Italinë. Te Milani e kuptova menjëherë se sa pasion ka për futbollin, ndërsa në Londër është ndryshe: ka më shumë liri për të dalë pa u njohur.
Cila është ajo që ju ka bërë më shumë përshtypje?
Më pëlqejnë ndërtesat e Milanos. Unë jetoj afër Duomo dhe ka një ndjenjë historie në qytet që mund ta ndjesh menjëherë. Mbërrita vetëm, më mungon pak familja dhe qeni im, një doberman që e lamë me mamanë. Nuk i shoh shumë…ndërrova shtet por u përshtata shpejt. I njihja Tomorin dhe Zhirunë që më dhanë një ndihmë të madhe. Pastaj jam mësuar me ndryshime, kam luajtur kudo në fushë.
A mund të thoni një aspekt pozitiv dhe një negativ nga sezoni i kaluar?
Gjë e mirë: vendi i dytë, i cili nuk është i pari, por duhet marrë pozitivisht. Negative ishte çerekfinalet e Ligës së Europë. Kishim një shans të mirë dhe nuk e shfrytëzuam.
Sivjet me Fonsekën mund të ndryshojë diçka?
Ne stërvitemi shumë fort, shumë intensivisht dhe kjo është fantastike. Ai gjithmonë na inkurajon të bëjmë pyetje sepse dëshiron t’i përcjellë konceptet e tij sa më shpejt që të jetë e mundur. Trajneri më duket shumë i përulur, në kontakt me realitetin.
Çfarë ju kërkon ai?
Gjera te ndryshme. Kundër Citit dhe Realit kemi luajtur futboll shumë të mirë dhe mund të përmirësohemi shpejt.
Cilat janë kërkesat personale të Fonsekës për ju?
Ne mesfushorët duhet të luajmë sa më afër për të kombinuar. Si një ekip që duam ta ndërtojmë nga prapavijë, duhet të kemi gjithmonë opsione për të luajtur topin. Në disa situata e gjej veten si lojtari më i avancuar, por kjo varet nga rotacionet. E sigurt që duhet të lëvizim shumë.
Prandaj u mor edhe Morata, një sulmues shumë i lëvizshëm…
Ai është një lojtar i madh, ka fituar shumë në karrierën e tij dhe të kemi një lojtar të tillë vetëm mund të na ndihmojë. Mezi pres të luaj me të. Alvaro dhe Zhiru janë të ngjashëm sepse kanë fituar shumë, kanë përvojë. Në kohën e shkurtër që ndamë në Londër, kuptova se Morata është një person shumë i sjellshëm dhe punon shumë: me dikë të tillë nuk habitesh nëse trofetë vijnë. Dhe pastaj ai është kapiten i Spanjës, sjell komunikim dhe lidership. Do të jetë e mrekullueshme për ne. Mezi pres që të luajë këtu dhe të jetë lider për këtë ekip.
Edhe Fonseka tha se lidershipi do të jetë i nevojshëm. Ju ndiheni lider?
Nuk kam qenë kurrë një folës i madh në fushë. Në ekip kemi djem me përvojë që flasin shumë në situata të caktuara. Menja na inkurajon vazhdimisht, por edhe Tomori është nga ata që ngrenë zërin kur duhet brenda grupit.
Cilat janë objektivat sezonale të Milanit?
Ky grup ka mundësi për të bërë më mirë çdo vit, unë mund ta shoh qartë. Për më tepër sivjet kemi një trajner të ri dhe besojmë tek ai, e dimë se çfarë dëshiron dhe grupi ecën përpara me idetë e tij. Duhet të kemi besim te ekipi, por unë dua të eci stërvitje pas stërvitjes, pa u nxituar.
Po ju personalisht çfarë synoni sivjet?
Pasi shënova dhjetë gola në sezonin e kaluar, dua absolutisht të përmirësohem. Po dhjetë gola në kampionatin e ardhshëm i shoh si diçka që mund të bëhet.