Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, ka tentuar t’ia marrë telefonin personal sigurimi i Aeroportit të Shkupit, derisa është tentuar edhe të shtyhet fizikisht. Këtë e ka konfirmuar këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina.
Ai ka njoftuar të enjten se u tentua të provokohej delegacioni i Kosovës nga pala maqedonase, derisa për këtë incident është detyruar të reagojë Policia e Kosovës “për ta hapur rrugën”.
“Në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar ta marrë telefonin personal të Presidentes. Presidentja nuk ka lejuar një gjë të tillë, sepse do të ishte shkelje e rëndë. Përkundër shpjegimit të rregullave qe ekipi i Presidentes ia ka bërë të ditur zyrtarit të aeroportit, ai ka tentuar fizikisht ta shtyjë Presidenten me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën. Kjo sjellje e zyrtarit maqedonas të aeroportit është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave kur krerët e shtetit udhëtojnë, ata mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike”, thuhet në njoftimin e Kupinës.
Ai ka bërë me dije se stafi i aeroportit ia ka marrë çantën personale të dorës Osmanit “edhe pse kjo ishte kundër rregullave”.
“Në kundërshtim me këto rregulla, pala maqedonase ka marrë çantën personale të dorës së presidentes. Edhe pse kjo ishte kundër rregullave, ekipi i Presidentes e ka lejuar në mënyrë që Presidentja të hyjë në aeroport, konkretisht në sallën VIP, e cila ishte rezervuar me notë verbale të Ambasadës sonë, siç është praktika për udhëtimet e krerëve të shtetit. Mirëpo, për arsye të sigurisë, në asnjë mënyrë nuk është lejuar që të dorëzohet telefoni personal. Sjellja arrogante dhe e dhunshme e zyrtarit të Aeroportit të Shkupit është e paprecedent dhe nuk ka ndodhur asnjëherë në asnjë udhëtim të presidentes kudo në botë, përfshirë në shtete jonjohëse”, thuhet tutje.
Osmani e ka njoftuar kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi “të cilin e falënderon për ndihmën e ofruar”.
“Vlen të përmendet se pas hyrjes së Presidentes në aeroplan, Aeroporti i Shkupit nuk e ka lejuar aeroplanin komercial të niset edhe për më shume se një orë, me pretekstin se shteti slloven nuk po e lejon nisjen, për shkak se nuk do të ishte gati për aterrim. Kabineti i Presidentes e ka kontaktuar palën sllovene të cilët na kanë informuar që një gjë e tillë absolutisht nuk është e vërtetë dhe se aeroplani do të mund të ateronte në kohën e planifikuar. Presidenca e konsideron çdo sulm dhe trajtim të parregullt e në kundershtim me konventat ndërkombëtare të zyrtarëve të lartë shtetëror si sulm ndaj vete shtetit të Kosovës. Republika e Kosovës, asnjëherë në historinë e saj, nuk ka trajtuar në menyrë të tillë Presidentin/Presidenten, Kryeministrin apo Ministrat e Maqedonisë së Veriut e as të ndonjë vendi tjetër e as nuk do të lejojë një ndonjëherë një gjë të tillë”, përfundon njoftimi i këshilltarit të Osmanit.
MPB: Presidentja e Kosovës deshi të kalojë pa skenuar telefonin dhe bagazhin në Aeroport. Sigurimi i saj dhe i Afrim Gashit kërcë’nuar punonjësit
Sot (01.08.2024) rreth orës 10:00 në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit derisa Presidentja e Kosovës ishte duke kaluar përmes kontrollit kufitar, në momentin kur asaj iu kërkua që ta linte telefonin e saj të kalonte përmes skanerit, një person nga sigurimi i saj ka larguar të punësuarin në TAV, me qëllim që ajo të kalonte pa telefon të skanuar dhe bagazh dore, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
“Më pas bagazhi u kthye dhe kaloi përmes një skaneri. Pas gjysmë ore erdhi një person nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit Gashi (polic) me dy persona të tjerë (polic) dhe filluan të kërcënojnë punëtorët e TAV dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar problem presidentes. Në të njëjtën kohë ka shtyrë edhe një punonjës policie që punonte në pikën kufitare”, thonë nga MPB.
Nga MPB shtojnë se janë informuar organet kompetente dhe po merren masa për zbardhjen e rastit, pas së cilës do të dorëzohen parashtresat përkatëse.
TAV: Siguria e aviacionit nuk është kërcënuar, ngjarja ka ndodhur në hapësirën publike të aeroportit
Lidhur me njoftimin për incidentin që ka ndodhur sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, në sallonin e VIP-ave, nga TAV thonë se në përputhje me Ligjin për Aviacion dhe rregulloren ligjore ndërkombëtare në lidhje me sigurimin e aviacionit civil, TAV Maqedoni, si operator aeroporti, ka obligim ligjor që të kryejë një kontroll sigurie të të gjithë pasagjerëve, bagazheve dhe mallrave në fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit dhe nga Aeroporti Sveti Apostol Pavle Ohër, duke përfshirë pasagjerët që udhëtojnë nëpër sallonin VIP.
“Prandaj, Departamenti i Sigurisë i TAV Maqedoni, në kuadër të kompetencave të veta, ka bërë kontroll standard të sigurisë së pasagjerit të përmendur si dhe bagazhit të tij, në pikën e kontrollit të sigurisë në sallonin VIP. Duam të theksojmë se siguria e aviacionit nuk është kërcënuar, sepse ngjarja e përmendur ka ndodhur në hapësirën publike të aeroportit, pra përballë pikës së kontrollit të sallës së VIP-ave, nga ku pasagjerët VIP, pasi janë kontrolluar nga Sigurimi, dërgohen në zonën e kontrolluar nga aeroporti. Gjithashtu duam të theksojmë se salla e VIP-ave është një ndërtesë e veçantë e izoluar nga ndërtesa kryesore e terminalit të Aeroportit të Shkupit, që do të thotë se është plotësisht e rreme se është cenuar siguria e udhëtarëve”, theksojnë nga TAV.
Për të marrë një pasqyrë të saktë të ngjarjes dhe për të parandaluar përhapjen e dezinformatave, për të gjitha detajet në lidhje me incidentin, i drejtojmë mediat që të kontaktojnë institucionet kompetente, shtojnë nga TAV.