VMRO-DPMNE-ja kërkon nga policia dhe prokuroria që të zbardhin shkeljet ligjore të konstatuara nga Qeveria mbi dyshimet se Lotaria Shtetërore ka ndarë licenca në kundërshtim me ligjin ndaj disa kompanive që organizojnë lojëra të fatit dhe bixhoz online.
“Lotaria pa licencë ka dhënë licenca për dy kompani të afërta me LSDM-në dhe BDI-së njëra nga Strumica tjetra nga Shkupi të cilat ndër vite i kanë borxh shtetit dhe kanë funksionuar në kundërshtim me ligjin. Për xhepin e kujt kanë punuar ato shoqëri tregtare dhe kush i ka mbuluar, këtë duhet ta thonë LSDM-ja dhe BDI-ja. Dyja shoqatat nuk kanë paguar tatim ndër vite duke shkelur disa ligje, veprim që ka dëmtuar buxhetin e shtetit. Njëra nga shoqatat është themeluar në vitin 2022 dhe nga atëherë nuk ka paguar asgjë nga obligimet që i ka me ligjin për lojërat e fatit dhe ligjin për tatim”, tha Marija Miteva, VMRO-DPMNE.
Ministria e Brendshme njofton shkurt se është hapur procedurë për të vërtetuar dyshimet dhe informacionet e Ministrisë së Financave.
“Për rastin “Lotaria Shtetërore” ju njoftojmë se është pranuar denoncimi nga Ministria e Financave dhe është hapur procedurë. Departamenti për luftë kundër krimit të organizuar dhe krimit serioz është duke vepruar për të vërtetuar dyshimet dhe informacionet për dhënien e licencave në mënyrë jo ligjore nga ana e Lotarisë Shtetërore”, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Javën e kaluar Qeveria përveç që i morri licencën dy kompanive që nuk kanë paguar tatim ndaj shtetit, gjithashtu konstatoi se Lotaria Shtetërore ka ndarë licenca në kundërshtim me ligjin. Kryeministri, Hristijan Mickoski tha se një veprim i tillë është bërë me lejen dhe kërkesën e disa ish ministrave nga Qeveria e kaluar. /Alsat.mk