Policia e Lezhës ka arrestuar një 48 vjeçar, i cili qëndronte si pasagjer në një taksi, teksa ishte i armatosur me armë zjarri e dy mina me telekomandë, duke bërë që të parandalohet ngjarja e rëndë kriminale.
Në pranga është vënë Arben Zagolli, 48 vjeç, banues në Pogradec. Ai po udhëtonte me taksi nga Pogradeci drejt Lezhës, për bashkëpunim me persona të tjerë për të kryer ngjarje kriminale.
Uniformat blu mbërritën në gjurmët e Zagollit pas një kontrolli të automjetit taksi me të cilën po udhëtonte.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e “Kryqëzimi i Shënkollit”, Lezhë.
Janë sekuestruar municionet dhe arma e zjarrit, për të shërbyer nën cilësinë e provës materiale.
Arben Zagolli akuzohet për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar sipas nenit 278, të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Uniformat blu po punojnë për identifikimin e personave me të cilët do të bashkëpunonte 48 vjeçari.
Çështja i ka kaluar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë
Lezhë
I armatosur me armë zjarri dhe me dy mina me telekomandë, falë inteligjencës policore, parandalohet një ngjarje e rëndë kriminale.
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme “Shqiponja” të DVP Lezhë, operacioni policor i koduar “Destinacioni”.
Kapet te “Kryqëzimi i Shënkollit”, Lezhë, i armatosur me armë zjarri e mina me telekomandë, 48 vjeçari nga Pogradeci që udhëtonte me një taksi drejt Lezhës.
Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë, dy mina me telekomandë dhe municion luftarak.
Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme në kuadër të megaopeacionit “Sundimit të Ligjit”, bazuar në inteligjencën policore se një shtetas i armatosur me armë zjarri e mina me telekomandë po udhëtonte drejt Lezhës, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Lezhë, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme “Shqiponja” të DVP Lezhë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Destinacioni”.
Gjatë operacionit, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Shënkollit”, Lezhë, shërbimet e Policisë ndaluan për kontroll automjetin taksi ku udhëtonte si pasagjer shtetasi Arben Zagolli.
Nga kontrolli fizik i këtij shtetasi, Policia i gjeti 1 armë zjarri pistoletë me fishekë, dy mina me telekomandë, dhe municion luftarak.
Në përfundim të veprimeve procedurale u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Z., 48 vjeç, banues në Pogradec, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna intensive për zbardhjen e plotë të qëllimit të udhëtimit të 48 vjeçarit i armatosur me armë zjarri dhe mina, si dhe për identifikimin e kapjen e shtetasit/ve që do të bashkëpunonte në Lezhë, për të kryer ngjarje kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.