Argjentina u shpall kampione e Kupës së Amerikës pas fitores ndaj Kolumbisë në shtesën e finales së zhvilluar në Stadiumin Hard Rock në Miami.
Gjatë festimeve pas fitores së titullit, Enzo Fernández publikoi një video në të cilën lojtarët argjentinas këndonin një këngë me fyerje dhe komente ofenduese dhe raciste ndaj futbollistëve francezë.
Një fakt që padyshim nuk u prit mirë. Federata Franceze e Futbollit tashmë ka njoftuar se do të ngrejë padi për këto akuza, ndërsa vetë Enzo kërkoi falje për ngjarjen. Një kërkim falje i pamjaftueshëm për klubin e tij, Chelsea, që do t’i hapë një procedurë disiplinore të brendshme.
Gjithashtu, në orët e fundit, Julio Garro, zëvendëssekretar i Sporteve të Argjentinës, deklaroi se si Chiqui Tapia, presidenti i AFA-s, ashtu edhe Leo Messi duhet të kërkojnë falje për gjithçka që ndodhi gjatë festimeve të Kupës së Amerikës.
“Kapiteni i përfaqësueses duhet të dalë dhe të kërkojë falje. E njëjta gjë vlen edhe për Presidentin e AFA-s. Na lë, si vend, në një pozitë të keqe pas kaq shumë lavdie,” tha Garro në median ‘Corta’.