Ish-presidenti amerikan Donald Trump, i cili kandidon sërish për Shtëpinë e Bardhë, është bërë subjekt I një atentati gjatë një mitingu zgjedhor mbajtur në Batler të Pensilvanisë. Trump u plagos në veshin e djathtë, por raportohet se është në gjendje të mirë shëndetësore. Nga sulmi ka humbur jetën një nga qytetarët që merrnin pjesë në tubim dhe janë plagosur dy të tjerë, ndërkohë që agresori është qëlluar për vdekje nga shërbimi sekret.
RTSH ka rindërtuar skemën e atentati ndaj Donald Trump, një ngjarje e rëndë për demokracinë në SHBA, ku figura të njohura fajësojnë polarizimin e rritur ndjeshëm në vend që ka nxitur episode të tilla.
Autori i cili qëlloi drejt Donald Trump ishte pozicionuar rreth 200 metra larg nga ish-presidenti, i cili po fliste në podium para mbështetësve të tij.
20-vjeçari Thomas Crooks ishte pozicionuar sipër çatisë së një ndërtese të vogël rreth një çerek milje në veri të skenës ku ish-presidenti po fliste. Teksa Trump tha fjalinë “shihni se çfarë ka ndodhur…”, u dëgjuan të shtëna.
Një burrë me bluzë të bardhë e kapele bejsbolli mori plumbat e parë dhe u rrëzua direkt përtokë. Pak sekonda më vonë u plagos ish-presidenti Donald Trump.
20-vjeçari u ekzekutua në pozicionin ku po qëllonte nga një snajper i Shërbimit Sekret që ishte pozicionuar në çatinë e një godine tjetër fare pranë vendit ku po mbahej edhe mitingu.
Ndërsa nga ana tjetër, agjentët e Shërbimit Sekret e tërhoqën ish-presidentin amerikan nga skena dhe e larguan me një automjet që e priste./RTSH