Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor (KRSKRR), në bashkëpunim me Moto Asociacionin e Maqedonisë të MK Moto Klubeve, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Këshillat Komunalë për Siguri në Komunikacionin Rrugor, këtë javë po realizojnë fushatën në më shumë qytete me moton “Mbaj helmetë”. Qëllimi i aktiviteteve është ndërgjegjësimi i shoferëve të motoçikletave dhe mopedëve për dobitë nga përdorimi i pajisjeve mbrojtëse dhe respektimi i rregullave të komunikacionit për siguri më të madhe të kësaj kategorie të pjesëmarrësve në komunikacion.
Aktivitetet parandaluese dhe edukative u realizuan në Kavadar, Kumanovë, Shkup, Strumicë, Kriva Pallankë, Veles, Manastir, Tetovë, etj., gjatë të cilave u shpërndanë materiale edukative dhe reklamuese, ndërsa motoçiklistëve u ishte theksuar që të mbajnë helmetë, të vozitin me përgjegjësi dhe duke e respektuar shpejtësinë e përcaktuar, të mbajnë distancë nga automjetet e tjera, të vozitin në përputhje me kushtet e motit dhe t’i respektojnë rregullat e komunikacionit, gjë që do të kontribuojë në rritjen e sigurisë në komunikacionin rrugor.
Në periudhën e verës zakonisht rritet numri i motoçikletave dhe mopedëve në komunikacion. Sipas statistikave, shoferët e motoçikletave dhe mopedëve janë më të prirur ndaj aksidenteve dhe lëndimeve në komunikacion sesa shoferët e llojeve të tjera të automjeteve. Ata, bashkë me këmbësorët dhe çiklistët, e përbëjnë kategorinë më të cenueshme të pjesëmarrësve në komunikacion. Njoftime të ndryshme tregojnë se shoferët e motoçikletave dhe mopedëve në përqindje të madhe pësojnë në aksidente komunikacioni, kryesisht për shkak të ndjeshmërisë së tyre të drejtpërdrejtë ndaj ndikimeve të mjedisit të jashtëm dhe kushteve të rrugës. Përqindja më e lartë e aksidenteve në komunikacion ku marrin pjesë motoçikleta dhe mopedë është shënuar në periudhën qershor – shtator, veçanërisht gjatë fundjavave.
Aspektet kryesore për sigurinë e shoferëve të motoçikletave dhe mopedëve, si pjesëmarrës në komunikacion, janë: sjellja e përgjegjshme, përdorimi i pajisjeve mbrojtëse (kryesisht helmeta mbrojtëse), ruajtja e gjendjes së motoçikletës / mopedit dhe respektimi i rregullave të komunikacionit.