Kryetari i Komunës së Kisella Vodës, Orce Gjorgjievski, informon se ndaj Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale” – Shkup është paraqitur kallëzim kundërvajtës në vlerë prej 1.500 euro për shkak të grumbullimit jo në kohë dhe të parregullt të mbeturinave në Komunë, transmeton Portalb.mk.
Kallëzimi për kundërvajtje është bërë nga një këshilltar, i cili është inspektor komunal në Komunën e Kisella Vodës, pas një kontrolli të jashtëzakonshëm në territorin e Komunës dhe pas një denoncimi paraprak nga qytetarët.
“Me reagimin e qytetarëve të Komunës Kisella Vodë, inspektori komunal i Komunës së Kisella Vodës ka kryer një inspektim në tërë territorin e Komunës, gjatë të cilit është konstatuar se ofruesi i shërbimit që grumbullon mbeturinat komunale dhe mbeturinat e padëmshme, në kundërshtim me nenin 13 të Ligjit për Veprimtari Komunale, nuk kryejnë rregullisht grumbullimin në territorin e Komunës Kisella Vodë, për çka është paraparë gjobë në pajtim me nenin 41 të Ligjit për Veprimtari Komunale. Inspektori komunal do të lëshojë urdhërpagesë kundërvajtëse në vlerë prej 1.500 euro në kundërvlerë në denarë në pajtim me nenin 41 paragrafi 1 për personin juridik të Ligjit për veprimtari komunale”, thuhet në procesverbalin e kryerjes së inspektimit në Kisella Vodë, të cilin në Facebook e ka publikuar kryetari i Komunës, Orce Gjorgjievski.
Në postimin në Facebook në të cilin informon për problemin, kryetari Orce Gjorgjievski thotë se kallëzimi për kundërvajtje është rezultat i punës së pakujdesshme të Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale” dhe kryetares së Shkupit të cilët kujdesen për higjienën në kryeqytey.
“Deri më tani disa herë i kam alarmuar institucionet e qytetit, me letra, me telefon, por padyshim që reagimet tona si komunë dhe të qytetarëve të Kisella Vodës kanë dështuar me proaktivitet nga ana e ‘Higjienës Komunale’, që të gjithë qytetarët e Shkupit e paguajnë. Duke qenë se nuk kemi asnjë reagim në komunikim normal, gjatë ditëve të kaluara kemi dërguar një inspektor komunal për të kontrolluar situatën në terren. E pamë që gjendja ishte katastrofike dhe për këtë arsye kemi bërë kallëzim kundërvajtës në ‘Higjiena Komunale’ dhe kjo do të jetë praktika jonë edhe në ditët në vijim nëse situata nuk përmirësohet”, njofton Gjorgjievski në postimin në Facebook.
Çdo mosveprim i mëtejshëm, paralajmëron ai, do të nënkuptojë kallëzim të ri për kundërvajtje.
Se “Higjiena Komunale” më shumë se dhjetë ditë nuk grumbullon mbeturina ka njoftuat edhe kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski. Ai tha se pamjet në Komunë janë të frikshme dhe i bëri thirrje ndërmarrjes që të përfundojë punën për të cilën është paguar sa nuk është vonë.
“Situata në Komunën e Butelit është alarmante, për më shumë se dhjetë ditë ekipet e NP ‘Higjiena Komunale’ – Shkup, të cilat janë nën komandën e drejtpërdrejtë të Danela Arsovska, nuk janë paraqitur në pjesën më të madhe të territorit të Komunës së Butelit. Nëse Danela nuk është në gjendje t’i bëjë këto detyra elementare të Qytetit të Shkupit, le t’i bartë kompetencat menjëherë te komunat që të mos pësojnë qytetarët”, ka njoftuar dje Kostovski në Facebook.
“Higjiena Komunale” më pas i ka mohuar akuzat e Kostovskit, duke thënë se në territorin e Komunës së Butelit, mbeturinat grumbullohen pa ndërprerje. Nga aty përmendën se kompania nuk bën seleksionim sipas determinimit politik të qytetarëve, por grumbullon me kohë mbeturinat nga të gjitha komunat e Shkupit.