Kryeministri hungarez Viktor Orbán deklaroi se dëshiron ta bëjë çështjen e emigracionit një pikë kryesore të presidencës së ardhshme hungareze të Bashkimit Evropian.
Orbán theksoi se ”ai mirëpret pozicionin e kancelarit gjerman Olaf Scholz, i cili po shqyrton opsionet për të transferuar procedurat e azilit në vendet jashtë BE-së”.
Presidenca e BE-së bëhet me rotacion çdo gjashtë muaj, me Hungarinë që merr detyrën nga Belgjika më 1 korrik.
Orbán tha se Hungaria po zbatonte tashmë një politikë të shqyrtimit të kërkesave për azil në vendet e treta, për shembull në ambasadën hungareze në Beograd, përpara se t’u jepte aplikantëve dritën jeshile për të hyrë në vend.
Në mesin e qershorit, Gjykata Evropiane e Drejtësisë (GJED) urdhëroi Hungarinë të paguante një gjobë prej 200 milionë euro (216 milionë dollarë) dhe 1 milionë euro shtesë në ditë për moszbatimin e një vendimi të mëparshëm që synonte ndryshimin e politikave të saj të azilit.