Një nga historitë më të bukura në vitet e fundit të botës së futbollit është edhe titulli i Leicester në Premier League.
“Dhelprat” të udhëhequra nga trajneri Claudio Ranieri fituan kampionatin kundër të gjithë parashikemeve teksa lanë pas klube të mëdha dhe me më shumë traditë.
Megjithatë, tetë vite pas këtij suksesi, Ranieri duket se e ka harruar si ndjesi titullin me Leicester teksa së fundmi shprehet se do ta ndërronte suksesin në Premier League me një titull me Romën e tij.
“Një peng në karrierë? Më vjen keq që nuk e kam fituar titullin me Romën time.
Sot mund ta them me bindje të plotë se do ta ndërroja pa u menduar dy herë titullin e fituar me Leicester vetëm që të kisha një sukses edhe me Romën.
Italia në Euro 2024? Besoj shumë te Luciano Spalletti, por mos e ngarkoni me përgjegjësi.
Duhet të jemi të kënaqur edhe me faktin se ai po punon shumë edhe për të ardhmen e kësaj kombëtareje dhe herët apo vone do të vijnë edhe frytet e kësaj pune”, u shpreh Ranieri.