Zbritja e një skuadre nga Superiorja në Kategorinë e Parë pasohet edhe me largime të shumta.
Kështu po ndodh edhe me Kukësin, ku ka lojtarë që s’kanë rinovuar kontratën për të qëndruar një kategori më poshtë.
I fundit që ka zyratrizuar largimin është mbrojtësi Franko Lamçe, edhe pse ishte përfolur më herët për një gjë të tillë.
Lajmin e bën të ditur vetë mbrojtësi me një postim në rrjetet e tij sociale. “Pas 1 viti e gjysmë me Kukësin, është koha për të thënë mirupafshim. Që nga dita e parë dhashë gjithçka për shokët dhe skuadrën. Do të doja të falënderoja klubin dhe tifozët për mbështetjen. I uroj vazhdimësi të mirë në të ardhmen. Faleminderit!”.
Ky ishte postimi i lamtumirës i mbrojtësit 25-vjeçar. Lamçe ishte një nga lojtarët kryesor për verilindorët këtë sezon duke luajtur rregullisht në formacionin titullar. Polivalent dhe me eksperiencë, 25-vjeçari luajti në çdo pozicion të prapavijës, madje edhe në mesfushë.
Fillimisht u mendua se drejtuesit do të bënin të pamundurën për të mbajtur boshtin e sezonit të kaluar, por me sa duket kjo pistë ka rënë shumë shpejt dhe Kukësi duhet ta nisë thuajse nga e para.
Nga ana tjetër, Kukësi ende nuk ka zgjedhur trajnerin e ri për këtë sezon, me Devollin që ka mbaruar misionin e tij, ku e dërgoi skuadrën deri në finalen e Kupës përballë Egnatias. Një opsion për qëndrimin e tij mbetet ende, në të kundërt verilindorët duhet të mendojnë se cili do të jetë “timonieri” që do t’i udhëheqë për sezonin e ri, ku synim do të ketë ngjitjen në Superiore, aty ku qëndruan për 12-të sezone radhazi.
Superkupa- Egnatia fitoi titullin kampion në Superiore dhe Kupën e Shqipërisë ku në finale u përballë me verilindorët. Meqenëse rrogozhinasit i kanë fituar të dy trofetë, rregullorja e FSHF-së parashikon që finalen e Superkupës do ta luajë kundër Kukësit. “Në rast se një ekip brenda sezonit shpallet njëkohësisht kampion i Superiores dhe fitues i Kupës, atëherë Superkupa e Shqipërisë do të luhet mes ekipit kampion të Superiores dhe atij finalist të Kupës”, thotë rregullorja. Kësisoj, Kukësi finalist që ka zbritur në Kategorinë e Parë do të përballet sërish me Egnatian.