Thiago Motta është gjithnjë e më afër Juventusit. Mëngjesin e sotëm, trajneri i komunikoi klubit aktual synimin e tij për të mos rinovuar kontratën me Bologna. Pasi konstatoi vendimin, klubi bolonjez e falënderoi trajnerin për punën e jashtëzakonshme të bërë me një shënim:
“Në këto dy vite kam takuar një trajner të përgatitur dhe fitues, – deklaron presidenti Joey Saputo, – i cili i ka dhënë skuadrës një identitet brilant loje. Arritja e kualifikimit në Ligën e Kampionëve e lartëson atë dhe të gjithë lojtarët në historinë e klubit tonë. Do të kisha dashur që të qëndronte në Bologna, por vetëm mund ta falënderoj atë dhe stafin e tij për këto sezone të mrekullueshme. I uroj atij më të mirën në të ardhmen”.
Tani fillon numërimi mbrapsht për njoftimin zyrtar të emërimit të Thiago Motta në krye të Juventusit. Ai është njeriu i zgjedhur prej disa kohësh nga Cristiano Giuntoli për të hapur një cikël të ri pas epokës së Allegrit. Thiago Motta pritet të nënshkruajë me bardhezinjtë deri më 30 qershor 2027, për rreth 4 milionë euro neto në sezon.