Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin dyshohet se e ka quajtur ‘racist dhe idiot’ presidentin e Real Madridit, Florentino Perez. Kjo gjë del nga mesazhet me tekst të dërguara nga slloveni për ish-presidentin e RFEF, Luis Rubiales.
Në një raport të orëve të fundit, “The Objective” zbuloi detaje të bisedimeve midis Rubiales, Ceferin, Gerard Pique dhe Lionel Messi për të krijuar një fond që devijonte paratë e të drejtave televizive për lojtarët në Spanjë, të cilët po përballeshin me shkurtime pagash për shkak të pandemisë së koronavirusit më 2020.
Fondi kishte qenë në shumën prej 30 milionë euro, megjithëse “El Espanol” pretendon se Messi donte që fondi i solidaritetit të shkonte fillimisht për lojtarët që fitonin më pak, duke thënë: “Më mirë të mos marr asnjë para, nëse nuk kompensohen të gjithë”. Deri më tani duket se nuk është krijuar një fond i tillë.
Më shumë korrespondencë midis Ceferin dhe Rubiales është zbuluar, e cila daton një vit përpara fondit të supozuar të solidaritetit, kur Ceferin dhe Perez u “kacafytën” ashpër për projektin e Superligës Europiane, të propozuar nga Perez. Më herët, atë ditë, Ceferin e kishte përshkruar Perez si egoist në komentet për mediat.
Ja mesazhet e shkëmbyera mes ish-presidentit të futbollit spanjoll dhe atij të UEFA-s:
Rubiales: “Do të flas me Florentino këtu në Spanjë. Nëse do të dalin kundër meje Tebas dhe Perez, do të jetë e pamundur për mua. Le të mendojmë se cila është gjëja më e mirë. Ai është një njeri shumë krenar. Mendoj se mund të përpiqemi të flasim dhe ta qetësojmë, por unë do të vazhdoj 100% me ju. Mos u shqetësoni për këtë. GJITHMONË”.
Ceferin: “Edhe unë jam gjithashtu krenar, mos harroni. Nuk dua të flas me të. Unë do ta bëja vetëm për shkakun tuaj. Ai është një idiot dhe racist. Mos i qetëso gjërat për mua, nuk kam nevojë për të. Unë thjesht dua që ti të kesh pozita të forta”.
Kjo është një pasqyrë tjetër e prapaskenave të niveleve më të larta të futbollit, ku figurat e zgjedhura negociojnë marrëveshje pa dijeninë e publikut të gjerë. Rubiales aktualisht është nën hetim për dy çështje ligjore, pasi forcat anti-korrupsion hetojnë përfshirjen e tij në një rast të tillë si president i Federatës Mbretërore të Futbollit Spanjoll. Gjithashtu është në gjyq për shtrëngim dhe sulm seksual, për puthjen e tij jo-konsensuale me Jenni Hermoso.