Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor e shënon çdo vit 11 Majin – Ditën e Kulturës në Komunikacion me qëllim të ndërgjegjësimit të të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion për sjelljen ligjore, etike dhe tolerante, me çka do të arrihet edhe siguria më e madhe në komunikacionin rrugor.
Dita e Kulturës në Komunikacion shënohet në mbarë botën që nga 11 maji 2015, kur në Hungari, me mbështetjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, u organizua për herë të parë ngjarja për nder të ndërgjegjësimit mbi rëndësinë dhe ndikimin e kulturës së komunikacionit mbi sigurinë në komunikacion. Edhe KRSKRR-ja çdo vit realizon aktivitete parandaluese dhe edukative për të gjitha kategoritë e pjesëmarrësve në komunikacion, sepse secila prej tyre ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin dhe sigurinë në komunikacionin rrugor.
Kultura e komunikacionit është mënyra e sjelljes së secilit pjesëmarrës në komunikacion, si dhe të kuptuarit e sjelljes së pjesëmarrësve të tjerë në drejtim të zhvillimit më të sigurt të komunikacionit, përkatësisht zvogëlimit të situatave të pakëndshme dhe minimizimit të aksidenteve në komunikacion dhe lëndimeve në to. Ajo fitohet që në moshë të re, ndërsa familja dhe institucionet edukativo-arsimore luajnë rol të rëndësishëm në inkorporimin e saj. Prandaj KRSKRR-ja i kushton vëmendje të veçantë zbatimit të aktiviteteve parandaluese dhe edukative për më të rinjtë përmes realizimit të fushatave për siguri më të madhe, si dhe edukimit në lidhje me rregullat e komunikacionit dhe sjelljen e përgjegjshme në komunikacion. Janë realizuar fushata dhe aktivitete për të gjitha kategoritë e pjesëmarrësve në komunikacion, si dhe përgatitet një larmi materialesh parandaluese dhe edukative.
KRSKRR-ja angazhohet për ndërtimin e sistemit të vlerave në funksion të mirëqenies dhe mbrojtjes së interesave të të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion duke rritur kulturën e komunikacionit, etikën dhe tolerancën në komunikacion. Pikërisht për këtë, në Ditën e Kulturës në Komunikacion, KRSKRR-ja bën thirrje:
“Bëhuni pjesëmarrës të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm në komunikacion. Kultura e komunikacionit është parakushti themelor për zvogëlimin e rrëmujës në komunikacion, zvogëlimin e numrit të aksidenteve në komunikacion dhe viktimave në to. Le të kontribuojmë së bashku në ngritjen e kulturës së komunikacionit dhe avancimin e sigurisë në komunikacionin rrugor.”