Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) shpalli sot rezultatet finale të zgjedhjeve presidenciale, ku zyrtarisht presidente e vendit do të jetë Gordana Siljanovska- Davkova, e cila fitoi 561 mij vota në zgjedhjet e së dielës.
Kundërkandidati i saj Stevo Pendarovski arriti të fitojë vetëm mbi 251 mijë vota.
Kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski deklaroi se Siljanovskës do t’i jepet certifikata për kryetare të shtetit.
KSHZ-ja konstatoi se numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në listat zgjedhore ishte 1.814.317, prej të cilëve 861.218 fletëvotime të pashfrytëzuara. 812.899 fletë votimi janë të vlefshme, 48.289 janë të pavlefshme dhe përqindja e zgjedhësve që kanë votuar është 47.47.
Pas shpalljes përfundimtare të rezultateve zgjedhore për zgjedhjet presidenciale, KSHZ-ja duhet të dorëzojë raport në Kuvend për caktimin e seancës për inaugurimin e presidentit të ri, që do të mbahet nesër në mesditë. Siljanovska duhet të japë një deklaratë solemne para deputetëve të përbërjes së vjetër, pas së cilës fillon mandati i saj. Mandati i presidentit aktual Pendarovski skadon nesër.
Profesoresha universitare Gordana Siljanovska-Davkova do të jetë presidentja e gjashtë e Maqedonisë dhe gruaja e parë e zgjedhur në këtë post.(INA)