Sipas Ion Harghel, gazetar hulumtues nga Moldavia, Milenko Nedellkovski ka aplikuar për grante në vlerë prej 100.000 euro në OJQ “Association Journalisten im Kampf um den Frieden” – AJKF (Shoqata e Gazetarëve për Luftën për Liri).
Sipas Harghel, kjo organizatë është mbulesë e shërbimeve të inteligjencës ruse, të ngarkuara për rekrutimin e gazetarëve nga Evropa, të cilët do të formojnë dhe shpërndajnë propagandë në favor të Rusisë dhe në dëm të BE, NATO dhe SHBA.
Në vitin 2015, Nedellkovski ka aplikuar për pesë grante në AJKF në vlerë prej 100.000 euro. Harghel thekson se pas miratimit të mjeteve financiare, Nedellkovski ka filluar zbatimin e granteve duke krijuar emisione të veçanta tematike në platformën Youtube dhe rubrika në portalin “Dudinka”. Të gjitha grantet kishin për qëllim plasimin e narrativave dhe lajmeve të rreme kundër aspiratave strategjike të vendit – anëtarësimin në NATO, fillimin e negociatave të anëtarësimit me BE, minimin e besimit në institucionet dhe krijimin e polarizimit në shoqërinë maqedonase.
Nedelkovski nga AJKF kërkoi 21.500 euro për realizimin e emisioneve dhe rubrikave me temë Produkte gjenetikisht të modifikuara (GMO), si dhe krijoi lajme të rreme dhe narrativa për përfshirjen e SHBA-së në plasimin e GMO në Maqedoni.
Në vitin 2016, Nedellkovski bëri transmetime dhe rubrika për gjoja përfshirjen e BE-së dhe NATO-s në krizën politike në Maqedoni, gjegjësisht se vendet perëndimore po ndërhyjnë në proceset e brendshme politike. Për këtë kampanjë, Nedellkovski ka kërkuar 18 mijë euro grant nga AJKF.
Në vitin 2016, Nedellkovski realizoi grant në vlerë prej 22.000 euro për krijimin e narrativave dhe perceptimit negativ për OJQ-të maqedonase që bashkëpunojnë me organizata nga Evropa Perëndimore dhe SHBA. Nedelkovski, së bashku me disa përkrahës, formoi “Lëvizjen Civile për Mbrojtjen e Maqedonisë” dhe organizoi forume me qëllim të formimit të opinionit publik kundër partnerëve strategjikë të Maqedonisë, duke i akuzuar ata për krijimin e destabilitetit politik në vend përmes “Shoqërisë së Hapur”. Veprimtaritë e tilla të Nedellkovskit shkaktuan polarizim të gjerë në shoqërinë maqedonase.
Harghel konstaton se aktivitetet e Nedellkovskit në periudhën e viteve 2015-2018, të financuara nga AJKF, polarizuan seriozisht shoqërinë dhe kishin potencial për të prishur situatën e sigurisë në Maqedoni.