Trajneri i Milanit, Stefano Pioli është kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Napolit sezonin e ardhshëm pasi Aurelio De Laurentiis mendon se mund të fillojë një projekt të ri afatgjatë me 58-vjeçarin.
Sipas mediumit Sky Sport Italia, trajneri i Milanit, Pioli është favorit për të zëvendësuar Francesco Calzona në Napoli sezonin e ardhshëm.
Kontrata e Piolit me Milanin skadon në vitin 2025, por kuqezinjtë pritet të ndajnë udhët me trajnerin e lindur në Parma në fund të sezonit.
Sipas raportit, presidenti i Napolit De Laurentiis e sheh Piolin si zgjedhjen më të përshtatshme për punën në sezonin 2024/25 dhe beson se ai mund të fillojë një projekt afatgjatë me 58-vjeçarin në krye.
Sky pretendon se Vincenzo Italiano po konsiderohet gjithashtu nga Napoli, por trajneri i Fiorentinës aktualisht është tërësisht i fokusuar në pjesën e fundit të sezonit me toskanët, veçanërisht në Ligën e Konferencës, kështu që ai nuk pritet të zhvillojë bisedime me Partenopein së shpejti.
Dy kandidatët e tjerë të lidhur me këtë punë janë Gian Piero Gasperini, i cili duket se dëshiron të qëndrojë në Bergamo dhe Antonio Conte.
Mediumi italian konfirmon se negociatat mes Napolit dhe Contes nuk janë në një fazë të avancuar, duke pasur parasysh se punësimi i teknikut italian nuk do të jetë i lirë dhe se De Laurentiis beson se ish- trajneri i Juventusit dhe Interit nuk do t’i përshtatej një projekti afatgjatë.
Conte ka qenë gjithashtu i lidhur me Juventusin, Milanin dhe Chelsean, dhe sipas La Repubblica, Blutë i kanë bërë tashmë një ofertë fitimprurëse trajnerit italian. /Telegrafi/