Komisioni Evropian e përshëndeti marrëveshjen politike të arritur dje në mes të Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së për Mekanizmin për Reforma dhe Rritje në Ballkanin Perëndimor, në vlerë prej gjashtë miliardë eurosh, si mbështetje e Planit të rritjes për rajonin, të cilin e propozoi nëntorin e kaluar.
Sipas kryetares së Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, mekanizmi financiar i rënë dakord prej gjashtë miliardë eurosh është një hap kyç në procesin e zgjerimit, i cili është prioriteti kryesor gjeostrategjik i BE-së.
“Me kombinimin e ndihmës financiare në rritje dhe reformave do të përshpejtohet përparimi i partnerëve tanë të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt BE-së, do të inkurajohet konvergjenca e tyre ekonomike dhe do të integrohen më mirë në tregun tonë të vetëm pak para anëtarësimit. Ne duam ta afrojmë sa më shpejtë Ballkanin Perëndimor me Unionin tonë”, tha Fon der Lajen.
Komisioni Evropian thekson se Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor përfaqëson një ofertë të paprecedentë, e cila do t’i lejojë vendet e rajonit të ndjejnë disa nga përfitimet e anëtarësimit në BE edhe para vetë anëtarësimit.
“Mekanizmi do të sigurojë rritje të ndihmës financiare në këmbim të reformave socio-ekonomike dhe themelore të përcaktuara në agjendat ambicioze të reformave të përgatitura nga partnerët nga Ballkani Perëndimor”, shton KE.
Shuma totale e Mekanizmit për periudhën 2024-2027 është gjashtë miliardë euro, nga të cilat dy miliardë euro janë grante dhe katër miliardë euro janë kredi me kushte preferenciale. Të paktën gjysma e pakos së përgjithshme do të shpërndahet përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), për të mbështetur investimet në infrastrukturën e transportit, sektorin e energjisë dhe për tranzicionin e gjelbër dhe digjital, ndërsa pjesa tjetër do të synohet si mbështetje e drejtpërdrejtë për buxhetet nacionale të vendeve të rajonit.
Mjetet do të paguhen dy herë në vit, në bazë të kërkesave të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe me miratim nga Komisioni, ndërsa për disa çështje edhe nga Shërbimi Evropian për punë të jashtme (EEAS), nëse plotësohen të gjitha kushtet përkatëse. Bëhet fjalë për kushtet që lidhen me vlerësimet cilësore dhe sasiore të progresit dhe rezultateve të arritura në zbatimin e agjendave të reformave të dakorduara, si dhe kushteve të përgjithshme që lidhen me stabilitetin makrofinanciar, menaxhimin e financave publike, transparencën dhe kontrollin mbi buxhetin.
Nëse disa kushte nuk plotësohen, Komisioni mund të ndalojë pjesërisht ose plotësisht pagesën. Pas këtij pezullimi dhe në rast se partnerët nga Ballkani Perëndimor nuk i plotësojnë kushtet përkatëse gjatë një grejs periudhe prej një viti, përkatësisht dy vjet në vitin e parë të zbatimit, shuma e pezulluar do të tërhiqet dhe mund të rishpërndahet midis përfituesve të tjerë në vitet në vijim.
Për të financuar kreditë, Bashkimi Evropian do të sigurojë katër miliardë euro në tregun financiar deri në fund të vitit 2027, ndërsa dy miliardë euro të mbështetjes së pakthyeshme do të financohen përmes burimeve shtesë të përcaktuara nga rishikimi i fundit i Kornizës Financiare Shumëvjeçare të BE-së.
Rregullorja për krijimin e Mekanizmit të Reformës dhe Rritjes në Ballkanin Perëndimor tani duhet të miratohet zyrtarisht nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së dhe do të hyjë në fuqi ditën e nesërme nga publikimi i saj në Gazetën Zyrtare të Unionit.
Mekanizmi i Reformës dhe Rritjes së Ballkanit Perëndimor është një mjet financiar që mbështet Planin e Rritjes për rajonin, si një instrument i ri për të përshpejtuar përgatitjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE me mundësinë e përdorimit të disa përfitimeve të tij për qytetarët dhe bizneset që para anëtarësimit. Kjo nga ana tjetër duhet të përshpejtojë ndjeshëm procesin e zgjerimit të BE-së dhe rritjen e ekonomive të vendeve të rajonit. Mekanizmi është plotësues me ndihmën e BE-së që tashmë i është dhënë rajonit nëpërmjet Instrumentit për Asistencën e Para-Aderimit (IPA).