Koalicioni “VLEN” në konferencën e sotme për media duke iu referuar emrave të përfolur nga BDI- për kandidat për president shqiptar deklaruan se Bujar Osmani nuk mund ti përfaqësojë shqiptarët në RMV. Amir Elezi nga ky koalicion tha se Osmani i promovuar si ministër i parë i jashtëm shqiptar po e përfundon mandatin e tij pa realizuar qoftë edhe një vizitë të vetme në Kosovë dhe pa e dënuar sulmin terrorist në Banjskë.
AMIR ELEZI, NGA KOALICIONI VLEN
“Sikur të mos mjaftonte kjo qasje indiferente ndaj Kosovës dhe interesave shqiptare në rajon, ai si ministër i njohur edhe më parë me afera korruptive nuk la pa e ngjyer lugën në korrupsion edhe duke qenë ministër i Punëve të Jashtme. Ishte ngjarja e organizimit të samitit të OSBE-së në Shkup që e zbardhi prirjen e tij korruptive, për çka edhe vetë e pranoi dhe kërkoi falje, ndërsa jo më pak të dyshimta kanë qenë edhe tenderët e realizuar me kompaninë ‘Eurovia’, si dhe ato për makinat që janë përdorur për samitin e OSBE-së”.
Elezi tha se këto dhe të dhënat e tjera që do t’i publikojnë ditëve në vazhdim janë siç thotë ai dëshmi e bollshme për ta kuptuar se gjithkush nga BDI-ja mund të ishte i pranueshëm si shqiptar, por Bujar Osmani nuk mund të jetë kandidat i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/