“Bisedimet e LSDM-së me partnerët e koalicionit janë duke vazhduar, por do të ketë edhe bisedime me partitë politike që tradicionalisht nuk janë pjesë e koalicionit të udhëhequr nga kjo parti”, deklaroi kryetari i kësaj partie, Dimitar Kovaçevski.
Sipas tij, LSDM do të ketë lista kandidatësh në të gjitha njësitë zgjedhore.
“Ne tashmë kemi bisedime me partnerët tanë të koalicionit. Sigurisht që do të ketë bisedime me partitë politike që tradicionalisht nuk janë pjesë e koalicionit tonë. Nëse gjendet një gjuhë e përbashkët, interesi, nëse analizat e tregojnë, nëse pranohet nga anëtarësia dhe kryesia partiake, atëherë mund të vendoset që ato lista të zgjerohen edhe me parti të tjera politike”, tha Kovaçevski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën për media me rastin e fillimit të punëve ndërtimore për rindërtimin e Sallës Universale.
Aktualisht, siç tha ai, po punohet për përcaktimin e kandidatëve dhe listave të partive të koalicionit me të cilat LSDM tradicionalisht shkon në zgjedhje.
Kovaçevski nuk ka dashur të zbulojë se me cilat parti planifikon të bisedojë LSDM. Ai thotë se këto janë parti që janë në koalicion qeveritar me LSDM-në, por nuk kanë qenë në listat e përbashkëta në zgjedhjet e vitit 2020.(INA)