Kjo nuk është ndonjë VMRO-DPMNE e re, kjo është e njëjta strukturë politike, eshaloni i dytë nga koha e Nikolla Gruevskit tani është bërë i pari. Politikanët e ndërtuar dhe pjekur në një strukturë partiake, të vendosur mbi themele autoritare dhe nacionaliste, tashmë sërish do të kërkojnë besimin e qytetarëve.
Shkruan: Fatmir BYTYQI
Shumë zëra kanë heshtur dhe shikimet janë larguar nga ndryshimet thelbësore që kanë ndodhur që nga viti 2017 e deri më sot, të cilat janë një kontrast i fortë me periudhën kur VMRO-DPMNE opozitare kishte robëruar shtetin.
Ndoshta disa do të pyesin pse nevojiten krahasime të tilla në vitin 2024, kur ajo kohë është shumë prapa nesh.
Po, ajo kohë është shumë prapa nesh, por fëmijët e asaj kohe janë këtu, përpara nesh, përpara të ardhmes sonë.
Sepse kjo nuk është ndonjë VMRO-DPMNE e re, kjo është e njëjta strukturë politike, eshaloni i dytë nga koha e Nikolla Gruevskit tani është bërë i pari.
Politikanët e ndërtuar dhe pjekur në një strukturë partiake, të vendosur mbi themele autoritare dhe nacionaliste, tashmë sërish do të kërkojnë besimin e qytetarëve.
Oferta aktuale e personelit të VMRO-DPMNE-së i dha rezultatet e para politike në vitin 2010, kur policia bastisi televizionin A1, kur e gjithë shoqëria u fut në humnerë.
Eksperiencën “shtetërore” e sofistikoi më 24 dhjetor 2012, kur gazetarë dhe disa prej deputetëve u tërhoqën zvarrë nëpër korridoret e Kuvendit.
Pasi përdhosën tempullin e demokracisë, ata festuan pjekurinë e tyre politike më 27 prill 2017, kur pothuajse e shtynë vendin në luftë civile.
Bëhet fjalë për të njëjtën matricë politike, e cila në opinion prodhon retorikë negative, e mbushur me “nuk jemi…”, “jo”, pra përplot me ngarkesë politike degraduese, që rri e varur mbi shtetin, mbi atë që arritëm të ndryshonim. dhe mundësitë që ne i krijuam ato.
Prandaj është e rëndësishme që në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe presidenciale të vendoset në mënyrë krahasuese vija e demarkacionit të ofertës politike, për të bërë një përkufizim themelor të dy qasjeve të ndryshme ndaj bazave të shtetit, demokracisë dhe ekonomisë.
Një vlerë thelbësore për vendin tonë, e që është liria, është nën “radarin” e opinionit.
Fakti që askush nuk flet, nuk debaton, nuk e tregon, mund të interpretohet si prania e saj e gjallë mes nesh.
MEDIA E LIRË
Po ne jemi të lirë, qytetarët e gëzojnë atë, jetojnë të lirë. Për këtë flet edhe Indeksi i Lirisë së Medias për vitin 2023, i përgatitur nga “Reporterët pa Kufij”, ku vendi ynë renditet i 38-ti në botë, nga 180 vende.
Situata, në vitin 2016, ishte dramatike, liria ishte një dëshirë e parealizuar, sepse në atë vit BE-ja na shpalli shtet të robëruar, ishim në vendin e 118-të në botë.
LSDM-ja i liroi mediat dhe fuqizoi qytetarët për të marrë vendime të informuara.
Ka një dallim, madje dhe të madh, që flet për përkushtimin e LSDM-së për lirinë, për mendimin e lirë, e drejta për një mendim të shprehur lirshëm.
Liria e medias është e pazëvendësueshme për shtetin dhe qytetarët e tij, është baza e një demokracie të shëndetshme dhe energjike.
Por jo vetëm kaq, media ka një ndikim të rëndësishëm edhe në stabilitetin ekonomik, sepse qytetarët e informuar janë çelësi i një ekonomie të shëndoshë, sepse investimet dhe besimi në institucione bazohen në qytetarë të mirëinformuar dhe aktivë.
Mediat e lira nuk janë vetëm pika mbështetëse për t’i rezistuar represionit, por inkurajojnë transparencën dhe llogaridhënien e biznesit dhe qeverisë, e cila ka një ndikim të drejtpërdrejtë në krijimin e një mjedisi dinamik ekonomik.
Establishmenti i opozitës VMRO-DPMNE u “kalit” në një periudhë kur rritja e pagave dhe fuqia blerëse ishte një ëndërr e largët për qytetarët.
Tani po flasim me kokën lart, jo vetëm për ndryshime në ekonomi, por edhe për mundësi reale, të cilat përveçse mbrojnë standardin e jetesës së qytetarëve në vitet e vështira ekonomike, por edhe e kanë avancuar atë.
Vetëm për një periudhe një vjeçare pagën mesatare e kemi rritur për 17,3 për qind ose për 5.739 denarë.
Nëse në tetor të vitit 2022 ishte 33.104 denarë, në tetor të vitit 2023 u rrit në 38.843 denarë rekord.
Çfarë do të thotë kjo për mirëqenien e qytetarëve? Nëse kemi parasysh se në tetor të vitit të kaluar inflacioni është ulur në 3,5 për qind, kjo do të thotë se pagat reale janë më të larta se rritja e kostove për 13,5 për qind, kemi rritje të pagave rreth pesë herë më të larta se ajo e inflacionit.
Me ardhjen e LSDM-së në pushtet, në tetor të vitit 2017, paga mesatare ishte 23.356 denarë, që do të thotë se kemi arritur ta rrisim për 15.487 denarë.
MBËSHTETJE E BIZNESIT
Nën sulmin e krizës më të madhe ekonomike dhe energjetike me të cilën është përballur bota moderne, ne punuam palodhshëm që mundi i qytetarëve të shpërblehej me dinjitet dhe LSDM-ja ia doli.
Të kujtojmë kur më parë ishin në pushtet arkitektët e tanishëm ekonomikë të VMRO-DPMNE-së, çfarë bënë, çfarë rezultatesh u dhanë qytetarëve.
Për shembull, nëse në tetor të vitit 2016 paga mesatare ka qenë 22.460 denarë, një vit më parë, gjegjësisht në tetor të vitit 2015 ka qenë 22.213 denarë, gjegjësisht është rritur për vetëm 247 denarë për një vit.
Në kohën kur isha në anën tjetër, në sektorin privat, tema kryesore e bisedës ishte se sa i detyrohej shteti ekonomisë, kompanive.
Është periudha kur biznesi ishte në konvulsion, kur suksesi i kompanive nuk varej nga aftësitë sipërmarrëse të menaxhmentit, por nga vullneti i pushtetit.
Obligimi ligjor për rimbursimin e TVSH-së u instrumentalizua për qëllime politike.
E gjithë ekonomia u gjunjëzua para partisë së atëhershme në pushtet, kompanitë u shantazhuan, u futën në një situatë servilizmi politik, duke mos u brengosur se ata kishin të punësuar, të cilët duhet të blejnë qumësht për fëmijët e tyre në shtëpi, t’i veshin, t’ipërgatisin për në shkollë.
LSDM-ja e zhduki këtë, duke promovuar një qasje krejtësisht të re se si një parti në pushtet duhet ta trajtojë ekonominë.
Shteti nuk i ka më borxh biznesit, por e mbështet dhe e shpërblen.
Vetëm përmes Ligjit për Mbështetjen Financiare të Investimeve, për gjashtë vite kemi arritur të ndërtojmë një portofol prej 919 kompanish, të cilat për gjashtë vjet kanë investuar mbi 500 milionë euro, për të cilat janë mbështetur me 100 milionë euro.
Këto janë vetëm disa nga rezultatet në themelet e shtetit, demokracisë dhe ekonomisë, të cilat jo vetëm janë pas nesh, por janë baza e asaj që do të pasojë, ato përvijojnë një pjesë të trajektores nëpër të cilën do të vazhdojë me LSDM-në të ecë vendi ynë.