Ministri i punëve të jashtme Bujar Osmani në deklaratën e përbashkët për media me ministrin e jashtëm të Shqipërisë Igli Hasani tha se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë gati ti hapin klasterët dhe kapitujt e negociatave me BE-në. Osmani tha se qytetarët me të drejtë janë të paduruar për të marrë më shumë nga Evropa tani.
BUJAR OSMANI, MINISTËR I PUNËVE TË JASHTME I RMV-SË
“Të dy vendet tashmë një vit në mënyrë aktive zhvilluan negociata të cilat kanë përfunduar me sukses procesin e skriningut, duke marrë nota të mira, madje të shkëlqyera dhe janë gati t’i hapin klasterët dhe kapitujt të negociatave pa asnjë hezitim. Jemi aletatë në NATO, vende që pa asnjë hezitim kanë arritur 100% përputhje me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Unionit Evropian, kemi zbatim të lartë të AKI-së së legjislacionit evropian, dhe vende që janë gardianë të vlerave të qytetërimit perëndimor në Ballkan”.
Ministri i punëve të jashtme i Shqipërisë Igli Hasani tha se Shqipëria është mbështetëse e parezervë e Maqedonisë së Veriut. Ai theksoi se Shqipëria dhe RMV-ja edhe në vazhdimësi do të punojnë në thellimin e bashkëpunimit në mes 2 vendeve fqinjë.
IGLI HASANI, MINISTËR I PUNËVE TË JASHTME I SHQIPËRISË
“Një nga projektet më madhore, më transformuese për të cilët jemi duke punuar bashkë me Italinë dhe Bullgarinë dhe partnerë të tjerë, është padyshim korridori 8 i cili pas dekadash këmbëngulje nga vendet tona, nuk është thjeshtë një ide në letër por pjesë e korridoreve pan evropiane. Dhe ky korridor do të transformojë pozitat tona strategjike, ekonomitë tona, dhe perspektivën tonë të zhvillimit”.
Ministrat folën edhe për mbështetjen e Vetëvendosjes për opozitën shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Osmani e quan si prishje të dinamikës së shtetit dhe hapje e rrugës për ndikime të tjera të huaja.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/