VMRO-DPMNE ende është në hamendje nëse do t’i bashkangjitet Qeverisë teknike më 28 janar. Nënkryetari i partisë Aleksandar Nikolloskit thotë se për këtë çështje duhet të mendojnë mirë, sepse siç shton, detyra e kësaj qeverie është organizimi i zgjedhjeve. Konsideron se nuk është propozim i mirë Talat Xhaferi për kryeministër.
“-Ende nuk kemi vendosur. Javët në vijim organet e partisë do të diskutojnë. Ka argumente për, ka argumente kundër. Thelbi i asaj qeverie teknike është të mbrohet procesi zgjedhor. Në këtë drejtim duhet mirë të mendojmë si parti politike.
Çfarë mendoni për propozimin e BDI-së që Talat Xhaferi të jetë kryeministër teknik? Mendoj se është i keq. Për arsye se Talat Xhaferi ishte i zgjedhur si kryetar i Kuvendit më 27 prill në mënyrë siç u zgjodh, me një shumicë të kontestuar apo siç e dimë ne, atëherë pa shumicë”, tha Aleksandar Nikolloski, nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.
Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi, ditë më parë në Click Plus tha se VMRO-DPMNE ashtu siç e ka gëlltitur në vitin 2013 që ai të jetë Ministër i Mbrojtjes, ashtu do ta gëlltisë edhe këtë herë kur të bëhet kryeministër teknik.
“VMRO-ja e ka gëlltitur në 2013-tën Talat Xhaferi të jetë Ministër i Mbrojtjes në qeverinë e Nikolla Gruevskit, e udhëhequr po prej ksaj VMRO-je. -Por Nikolla s’është më këtu.
Nuk ka lidhje, subjekti është në pyetje, nuk është në pyetje personaliteti”, pohoi Talat Xhaferi – kryetar Kuvendi.
Për çështjen e kryeministrit teknik Talat Xhaferi, Lidhja Europiane për Ndryshim është shprehur se çdo shqiptar do te ishte i pranueshëm për kryeministër, por jo Talat Xhaferi, duke vënë në pikëpyetje se si mund të priten zgjedhje demokratike nga qeveri e udhëhequr nga Xhaferi, i cili sipas LEN, si kryetar i Kuvendit ia pamundëson opozitës shqiptare të ketë përfaqësues në KSHZ. Nga ana tjetër, LSDM është shprehur pro emrit të Talat Xhaferit për kryeministër, ndërsa edhe Aleanca për Shqiptarët ka thënë se nuk ka asgjë të keqe që të votojnë Xhaferin.