Bekim Qoku
Çfarë i detyron disa shqiptarë që postimet e tyre nëpër rrjetet sociale t’i shkruajnë e botojnë në gjuhën maqedonase, sidomos në këtë kohë kur Google translate përkthen çdo tekst në çdo gjuhë të botës?
Shkrimi është akt politik. Edhe si formë, pa përmbajtje, ai jep mesazh. Jo rastësisht, Kongresi i Manastirit debatoi për tri lloje shkrime, dhe aspak jo rastësisht shkrimi cirilik i maqedonishtes mbrohet dhe sanksionohet me ligj të veçantë.
Ja disa nga hamendësimet e mundshme përse disa zgjedhin shkrimin dhe gjuhën maqedonase për të shprehur mendimin, mbase edhe qëndrimin e tyre në hapësirat publike:
1. Nëse një tekst do ta botonin shqip, kjo do të nënkuptonte që përmbajtja e tij kritike i drejtohet autoriteteve shqip-folëse. Për Maqedoninë e Veriut, kjo do të thotë që kritikuesi i drejtohet partive shqiptare në pushtet, pra BDI-së dhe ASH-së. Dhe kur e dimë se hakmarrësit më të rrezikshëm në këso rastesh janë pikërisht vetë pushtetarët shqiptarë, një kritikë e tillë e shkruar dhe botuar në shqip mund të merret si sulm i drejtpërdrejtë ndaj pushtetarit shqiptar me prirje të ashpra për t’u hakmerrë. Për ta evituar këtë kanosje, intelektuali/analisti/shoqëria civile përdor një gjuhë tjetër si mekanizëm shmangës ose zbutës.
Sidoqoftë, duke hartuar kritikën apo opinionin vetëm maqedonisht, pushtetarët shqiptarë përjashtohen kësisoj nga përgjegjësia apo faji. Ata madje marrin guximin të ta pëlqejnë “guximin” e kritikuesit që po kritikon pushtetin. Në përgjithësi, natyrisht.
Shqiptari është shquar gjithmonë për dinakëri.
2. Kritikat i bëjnë pa një adresë të saktë. Sa më e përgjithshme fajësia, aq më anonim fajtori si subjekt. Si me thënë, kur kritikohet njerëzimi apo populli, kurrkush nuk ndihet fajtor individualisht.
Sepse natyrisht, për të qenë më specifik, adresa duhet të jetë kryesisht kompetenti, autoriteti që ka në dorë zgjidhjen apo jo të problemit në fjalë. Duke shkruar maqedonisht, në mënyrë të tërthortë pranojmë që ky autoritet është vetëm pala maqedonisht-folëse. Në këtë mënyrë, pra, ne anulojmë apo zhveshim tërësisht nga pushteti real subjektin pushtetar shqip-folës. Me formën e gjuhës së komunikimit ne tregojmë se kush është realisht shtetformues këtu, kush i mban e i luan penjtë e shtetit, me një fjalë, kush është shefi. Jo rastësisht edhe pushtetarët shqiptarë pëlqejnë këtë “guxim” të kritikuesit të autoritetit fajtor, sepse nuk e fusin veten te kategoria e autoritetit, e shtetformuesit por thjesht të tifozit.
3. Lingua franca në MV është gjuha maqedonase. Në ish Jugosllavi ishte serbo-kroatishtja. Kushdo që përpiqet të duket trendy, të jetë në “shemë”, të jetë pjesë e parisë superiore të shoqërisë, ai/ajo opinionet e veta duhet t’i shkruajë e botojë në “lingua francan” e vendit, pra në maqedonisht.
Në këtë mënyrë shprehet pavetëdijshëm kompleksi i inferioritetit të një shtresë sociale që Faik Konica i quante “levantinë”. Levantinët, thotë Konica, imitojnë si majmunët.
4. Pikën e mësipërme mund ta lidhim me zbatimin zyrtar të gjuhës shqipe. Gjuha shqipe nuk është zyrtare në të gjithë territorin, dhe nuk është e barabartë në kushtetutë me gjuhën maqedonase.
Por, fenomeni që duhet vënë në dukje këtu është moszbatimi i të drejtës për të folur në gjuhën amtare shfaqet pikërisht nga vetë shqiptarët.
Janë shqiptarët në radhë të parë që, edhe pse e sanksionuar me ligj, me ligjin për gjuhët që i flasin mbi 20% e popullsisë, nuk e respektojnë.
Madje këtë të drejtë nuk e respektojnë as kryetarët shqiptarë të komunave, që kanë gjithë atë pushtet popullor e kushtetues.
Në fund të fundit, kujt i takon ta zbatojë ligjin nëse jo në radhë të parë pushtetarët, intelektualët, akademikët, artistët shqiptarë? Janë ata që duhet të bëjnë rolin e parisë, pararojës së ndryshimeve.