Gazetari Sead Rizvanoviq, ka komentuar organizimin e Samitit të OSBE-së që u mbajtë në Shkup fundjavën që lamë pas. Ai thotë se “çdo vend normal në botë do të paguante dhjetë herë më shumë se çmimi aktual dhe se kjo është si të paguani një miliard dollarë për një reklamë dhe ta lëshoni në të gjithë botën”.
“Çdo shtet normal në botë do të paguante dhjetë herë më shumë se çmimi aktual për samitin e OSBE-së në Shkup, për të organizuar një mega event të tillë në nivel botëror, në këtë moment. Kjo është si të paguash një miliardë dollarë për një reklamë dhe ta lëshosh atë në të gjithë botën”, ka shkruar në Facebook gazetari Rizvanoviq.
Në ngjarjen më të madhe politike ndërkombëtare të organizuar në vend që nga pavarësia kanë marrë pjesë krerë të diplomacisë nga vende si: SHBA, Kanada, Britania e Madhe, ministra nga vendet anëtare të BE-së dhe NATO-s, nga Mesdheu, Lindja e Mesme dhe Azia Qendrore.
Këshillin Ministror të OSBE-së e ndoqën mbi 300 gazetarë të akredituar të vendit dhe të huaj.
Kryediplomati Bujar Osmani njëherazi edhe kryesues i OSBE-së për vitin 2023 ka marrë lëvdata jo vetëm nga opinioni vendas, por edhe nga shefat e diplomacisë së vendeve të zhvilluara perëndimore, për kryesimin dhe organizimin e Konferencës në Shkup.