Kolumnë me rastin e Fushatës
“16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës Gjinore”
nga Ambasadori David Geer
Shef i Delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut
Po e shënojmë këtë vit fushatën ’16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës Gjinore’ në një sfond befasues. Një në tre gra në mbarë botën përjeton dhunë nga partneri ose dhunë seksuale gjatë jetës së saj. Kjo është pavarësisht prejardhjes, kulturës, origjinës etnike, moshës apo fesë së saj. Kjo po ndodh në shekullin e 21 -të . Maqedonia e Veriut nuk bën përjashtim në këtë aspekt.
Pavarësisht përpjekjeve të shumta, asnjë vend nuk ka arritur ende t’i japë fund dhunës ndaj grave apo dhunës në familje. Përkundrazi, në kuadrin e krizave, konflikteve dhe luftrave, kemi qenë dëshmitarë të rritjes eksponenciale të dhunës së tillë. Kjo e bën veprimin kolektiv edhe më urgjent.
Slogani i fushatës globale të këtij viti është “Bashkohuni” Investoni për të parandaluar dhunën ndaj grave dhe vajzave.
Duke filluar nga parandalimi, kjo është në radhë të parë detyrë e institucioneve shtetërore. Kjo nënkupton reagimin në kohën e duhur ndaj çdo indikacioni të një dhune të tillë. Por kjo nuk është e gjitha. Parandalimi është po aq një proces afatgjatë i trajtimit të rrethanave që çojnë në një dhunë të tillë, shkaqet kryesore të saj. Të tilla si sfidimi i stereotipeve gjinore – që në shkollë, mbyllja e boshllëqeve gjinore në tregun e punës dhe fuqizimi i grave në ekonomi dhe në vendimmarrje politike. Kjo do të thotë të punohet pandërprerë për të arritur barazinë gjinore. Do të thotë të punohet me gra dhe burra, vajza dhe djem. Sepse niveli më i lartë i dhunës ndaj grave shkon paralelisht me nivelin më të ulët të barazisë gjinore. Dhe angazhimi për barazinë gjinore është edhe më i rëndësishëm tani, përballë një reagimi kundër të drejtave të grave, veçanërisht të dukshëm në fushën dixhitale.
Më pas vjen mbrojtja. Institucionet shtetërore duhet të kujdesen për mirëqenien e viktimave, ndonjëherë së bashku me partnerët e shoqërisë civile. Të forcohen sistemet mbështetëse në mënyrë që zëri i çdo viktime të dëgjohet dhe respektohet.
Dhe ka një element të tretë, ku të gjithë kemi një rol për të luajtur. Kjo është për të thyer heshtjen rreth dhunës ndaj grave. Për të mos qenë vëzhgues të heshtur. Por për të inkurajuar viktimat dhe ata që janë dëshmitarë të dhunës që ta paraqesin atë. Sepse dhuna gjinore nuk është një çështje private, as çështje e grave, por një çështje e shoqërisë në tërësi. Nëse mbeten të pandëshkuar, dhunuesit do të godasin sërish. Kundër vajzave, partnerëve, miqve tanë…
BE-ja aderoi në Konventën e Stambollit më 1 tetor 2023, duke nënvizuar angazhimin e saj për t’i dhënë fund dhunës gjinore. Ky angazhim shtrihet në miratimin dhe zbatimin rigoroz të ligjeve që mbrojnë gratë nga forma të ndryshme të dhunës, duke përfshirë abuzimin në familje, ngacmimin seksual dhe trafikimin e qenieve njerëzore. Si dhe vendosja e parimit se marrëdhënia seksuale pa pëlqim është përdhunim. Legjislacioni i BE-së dhe të gjitha standardet përkatëse ndërkombëtare janë baza për përpjekjet e BE-së për të parandaluar dhunën gjinore dhe për të mbrojtur viktimat. Jo vetëm brenda BE-së, por edhe në veprimin e saj të jashtëm.
Maqedonia e Veriut, si një vend që negocion anëtarësimin e saj në BE dhe nënshkrues i Konventës së Stambollit, është i përkushtuar për arritjen e barazisë gjinore, avancimin e të drejtave të grave si dhe parandalimin e të gjitha formave të dhunës gjinore.
Në vitin 2021, vendi miratoi Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje. Ky ligj prezantoi dispozita për riintegrimin sistematik të viktimave. Një tjetër zhvillim i rëndësishëm ishte miratimi i ndryshimeve në Kodin Penal për t’u përafruar me Konventën e Stambollit, e cila kriminalizonte dhunën në familje dhe dhunën gjinore. Hapi tjetër i rëndësishëm në trajtimin e dhunës gjinore do të ishte miratimi i Ligjit të ri për Barazi Gjinore. Ne inkurajojmë institucionet që të vazhdojnë me këtë proces për të siguruar miratimin e tij të shpejtë.
Ajo që duhet bërë tani është harmonizimi i legjislacionit ekzistues dhe lehtësimi i zbatimit të tij me akte nënligjore. Të përmirësohet kapaciteti i qendrave të strehimit. Të rritet niveli i ekspertizës për trajtimin e rasteve të dhunës në kuadër të forcave policore. E gjithë kjo duke përmirësuar shërbimet për viktimat – jo vetëm gratë, por edhe burrat, personat LGBTIQ ose viktimat e trafikimit, dhe duke adresuar shkaqet kryesore të dhunës.
Për shumë vite BE-ja ka ndihmuar Maqedoninë e Veriut të avancojë në barazinë gjinore dhe në përpjekjet për të çrrënjosur dhunën me bazë gjinore. Duke promovuar një perspektivë gjinore në kontekstin e procesit të anëtarësimit në BE dhe duke e integruar atë në programet dhe projektet tona të ndryshme të bashkëpunimit në përgjithësi, ne synojmë të sigurojmë që këto objektiva të jenë në krye të punës sonë në shumë sektorë të ndryshëm. Përveç kësaj, po zbatojmë veprime specifike së bashku me partnerët e shoqërisë civile për të ndihmuar në mbylljen e hendekut gjinor dhe për të ndihmuar viktimat e dhunës gjinore. Ky është fokusi i projektit tonë kryesor BE-ja për Barazinë Gjinore dhe është një nga prioritetet e Programit tonë për Shoqërinë Civile. Kjo e fundit do të ndihmojë në trajtimin e çështjeve të tilla si zbatimi i Strategjisë Kombëtare për Barazi Gjinore; politikëbërje e përgjegjshme ndaj gjinisë; buxhetimi qendror dhe vendor; përmirësimi i të drejtave sociale dhe ekonomike të grave; forcimi i mekanizmave monitorues etj. Një ndihmë e tillë mbulon gjithashtu ofrimin e shërbimeve dhe strehimoreve për gratë-viktima të dhunës gjinore dhe në familje, linjat e ndihmës SOS dhe shërbimet për grupet vulnerabël dhe viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore. Poashtu, mbështetja jonë për shtetin përkatës duhet të rezultojë në krijimin e të paktën tre strehimoreve plotësisht funksionale për viktimat e dhunës në familje dhe trafikimit të qenieve njerëzore. Përveç strehimit dhe ndihmës mjekësore, këto strehimore do të ofrojnë mbështetje psikosociale, këshillim, ndihmë juridike dhe ndihmë për gjetjen e punës.
Megjithatë, kjo është vetëm një pjesë e ndihmës së BE-së në këtë fushë. Së bashku, ne mund dhe duhet të bëjmë më shumë. Të tilla si krijimi i shërbimeve shëndetësore dhe sociale për t’iu përgjigjur nevojave specifike të grave dhe vajzave, veçanërisht atyre nga komunitetet e margjinalizuara dhe me mungesë të shërbimeve, dhe në veçanti gratë me aftësi të kufizuara. Kjo do të thotë qasje universale në shërbimet gjithëpërfshirëse të shëndetit seksual dhe riprodhues, duke përfshirë planifikimin familjar, kontracepsionin, kujdesin para dhe pas lindjes, si dhe shërbimet e sigurta dhe të ligjshme të abortit. Përveç kësaj është edukimi seksual gjithëpërfshirës në shkolla, si një strategji e përshtatshme për moshën dhe e bazuar në fakte për të parandaluar dhunën me bazë gjinore dhe për të respektuar shëndetin seksual dhe riprodhues dhe të drejtat e të rinjve. Kjo duhet të shkojë paralelisht me një pjesëmarrje më të madhe të të rinjve, veçanërisht të grave të reja dhe vajzave, në krijimin dhe zbatimin e politikave dhe në vendimmarrje. Së bashku me punën në nivel komuniteti për të ndërtuar shembuj dhe mundësi pozitive sociale.
Misioni i BE-së në këtë fushë është i qartë: të mbrojë barazinë gjinore dhe të fuqizojë gratë në përgjithësi. Dhe për t’u siguruar që një individ mund të gëzojë plotësisht të drejtat e tij njerëzore pa diskriminim.
BE do të vazhdojë të punojë me vendosmëri së bashku me të gjithë partnerët drejt këtij qëllimi. Presim nga Maqedonia e Veriut dhe vendet e tjera në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE për t’u bashkuar me ne në këtë partneritet.