Si raportuan mediat lidhur me raportin e publikuar të Komisionit Evropian për progresin në vitin 2023? Si e lexoi tekstin e Raportit pushteti e si opozita, dhe si ky lexim u reflektua në media? Si ndodhi që disa e lexuan me “syze rozë” e disa me “syze të errëta”? Si media më e vjetër në vend “Nova Makedonija” e ndërlidhi procesin e (mos)zbatimit të reformave me ndryshimet kushtetuese dhe raportet mes Shkupit dhe Sofjes?
Shkruan: SEFER TAHIRI
Ndaj shumë fenomeneve shoqërore dhe çështjeve politike, e kemi konstatuar disa herë se mediat në Maqedoninë e Veriut kanë këndvështrime të ndryshme editoriale, që herë janë me motive etnike, e herë me motive politike.
Madje, kjo ndodh edhe kur kemi të bëjmë me leximin e ndonjë dokumenti ose raporti ndërkombëtar, siç është ai i Komisionit Evropian, edhe pse “e zeza në të bardhë” nuk lë shteg për lexime të dyfishta apo trefishta, aq më tepër që ky raport është objektiv, i bazuar në faktografi, i shkruar në mënyrë të qartë, korrekte dhe me gjuhë koncize.
Edhe Raporti i fundit i Komisionit Evropian për progresin e Maqedonisë së Veriut u interpretua në mënyra të ndryshme, më shumë për shkak të motiveve politike dhe partiake.
Qasje mediatike afirmative dhe kritike ndaj vlerësimeve evropiane
Diskursi politik i pushtetit, i cili e prezantoi raportin si evidentues i detyrimeve që vendi i ka pasur në procesin e reformimit të sistemit të shtetit që janë pjesë e agjendës integruese, ka ndikuar tek një pjesë e mediave, të cilat e shfaqën Raportin në dritë afirmative.
Në këtë vijë ka qenë edhe tentimi për amortizimin e kritikave të organizatës joqeveritare Instituti për Politika Evropiane (EPI), e cila vlerësoi se raporti i sivjemë përmban vlerësime më të dobëta se sa ato të vitit të kaluar (Kanal 5, 10.11.2023). Në raportin e Kanal 5 citohet përfaqësuesja e EPI, Simonida Kacarska, se “Maqedonia është më e përgatitur për anëtarësim në BE se sa Serbia dhe Mali i Zi, por përparimi është i dobët”.
Por, portali “Nezavisen”, duke dashur t’i relativizojë kritikat e EPI-t, publikoi shkrimin me titull “Edhe EPI nuk sheh ‘ngecje’ në raportin e Komisionit Evropian, por sheh rrezik për negociatat“. Në raportin gazetaresk të këtij portali thuhet:
“Instituti i Politikave Evropiane (EPI) doli sot me ‘dëftesë’ për reformat e Maqedonisë, që na e dha KE (Komisioni Evropian), nga e cila shihet më teknikisht se sa ka ngecur dhe vallë ka përparuar Maqedonia në krahasim me vitin e kaluar, sepse vlerësim për ‘prapakthim’ nuk jepet”.
Portali “24info.mk” raportoi të kundërtën. Kjo gjë mund të shihet në shkrimin me titull “Kacarska: Brengos vlerësimi se nuk ka përparim në kreun 23, nga i cili varet dinamika e negociatave“:
“Raporti i Komisionit Evropian për progresin e Maqedonisë në vitin 2023 në raport me vitin paraprak tregon se vlerësimi për gatishmërinë e marrjes së detyrimeve nga anëtarësimi është më i lartë vetëm në një kapitull, që është politika ekonomike dhe monetare. Ajo që brengos është vlerësimi se nuk ka përparim në gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit – dy fusha thelbësore të Kapitullit 23 si pjesë e klasterit Bazat, nga të cilat varet dinamika e negociatave, dhe i cili hapet i pari dhe mbyllet i fundit në fund të negociatave. Siç theksoi kryetarja e Institutit të Politikave Evropiane, vlerësimet për progresin janë më të dobëta se sa vitin e kaluar dhe në vend të ‘përparimit të caktuar’, vlerësimi dominues është mospasja e përparimit ose përparim i kufizuar”, raportoi portali “24 info”.
Disa e pasqyrojnë objektivisht, disa fokusohen te “leximet” e ndryshme të Raportit
Televizioni Telma, në raportin e tij, që në titull e reflekton leximin me dioptri të ndryshme të raportit “Për disa nuk ka ngecje në asnjë kapitull, për të tjerët vlerësimet janë të këqija, pushteti dhe opozita me interpretime të ndryshme ndaj raportit të Komisionit Evropian“.
Kanal 5 raportoi vlerësimin e zëvendëskryeministrit për Çështje Evropiane, sipas të cilit “Kemi përparim në 80 për qind të kapitujve, nuk është evidentuar ngecje prapa“:
“Domethënë ka zero ngecje, konstatoi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq. Ai tha se i pranojnë vërejtjet dhe i konsiderojnë si tregues të rëndësishëm për atë që do të ndodh dhe atë që duhet ta bëjnë. Sipas Mariçiqit, në pjesën më të madhe të kapitujve jemi në nivel përkatës të gatishmërisë. Siç tha, vlerësimi për përgatitjen e plotë të shtetit për vitin 2023 është ‘nivel i mirë i gatishmërisë’ dhe është konstantë solide tashmë disa vite pas”, raportoi Kanal 5.
Ndërsa, Televizioni Alfa raportoi me titullin “Syze rozë vetëm te Mariçiqi dhe pushteti: Për të gjithë të tjerët raporti i KEsë është më i keqi“!
“Poligraf” bën dekonstruktim të dipotrive të ndryshme ndaj Raportit
Emisioni për ballafaqim me dezinformatat “Poligraf”, i cili është produksion i përbashkët i Institutit për Media dhe Analitikë IMA dhe Televizionit Alsat, në analizën me titull “Kush e pa Raportin e Komisionit Evropian me syze rozë, e kush me syze të errëta?“, bën dekonstruktimin e dioptrive të ndryshme në raportimin mediatik për Raportin e fundit të KE.
Siç ceket në “Poligraf”, një pjesë e mediave u fokusua vetëm tek aspektet pozitive të raportit dhe transmetoi manipulime apo vlerësime që nuk korrespondojnë me vlerësimet e dhëna në raport.
“Për shembull, më tepër media raportuan se ‘Raporti i Komisionit Evropian’ bën me dije se Maqedonia e Veriut ka progres në 81 për qind të kapitujve, ndërsa në asnjë prej tyre nuk ka prapakthim. Mirëpo, në raportin e KE për vendin nuk bëhet me dije një gjë e tillë, e as nuk përmendet ndonjë përqindje specifike e progresit apo 81 për qind. KE nuk jep nota në përqindje, e aty nuk është as shprehja ‘asnjë prapakthim’. Siç thuhet në vetë raportin, KE-ja e vlerëson progresin me këto vlerësime: ‘prapakthim’, ‘nuk ka progres’, ‘progres i kufizuar’, ‘progres i caktuar’, ‘progres i mirë’ dhe ‘progres shumë i mirë’”, thuhet në këtë emision.
“Poligrafi” konstaton se disa e panë raportin e KE-së me “syze rozë”, e disa me “syze të errëta”.
“Për dallim nga ato që u fokusuan në aspektet pozitive, më shumë media raportuan vetëm mbi kritikat dhe interpretimet negative të Raportit të KE. Disa prej tyre përcollën pohimet e zëdhënëses së VMRO-DPMNE-së, Marija Miteva, se raporti është ‘reflektim i gjendjes së stagnimit e në pjesë të caktuar të prapakthimit në të cilin ndodhet Maqedonia’”, analizoi Poligraf.
Ndryshimet kushtetuese dhe reformat e sistemit, dy procese të ndara
Portali i gazetës së përditshme “Nova Makedonija” publikoi shkrimin analitik me titull “Debakli në integrimet evropiane vështirë arsyetohet me moszbatimin e ndryshimeve kushtetuese“.
“Më shumë se sa një vit autoritetet maqedonase shpenzuan në tentimin për operacionalizimin e ndryshimeve kushtetuese. Megjithatë, paralelisht me këtë nuk u operacionalizuan edhe politikat reformuese në drejtim të përmirësimit të ekonomisë, energjetikës, gjyqësorit, arsimit, shëndetësisë dhe në përgjithësi përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe funksionimit të institucioneve. Por, si duket përpjekjet nuk dhanë fryte, sepse bartësit e projektit për ndryshimet kushtetuese konsideruan se do të jetë e mjaftueshme vetëm që të futen bullgarët në kushtetutë dhe në këtë mënyrë shteti vetë do të shkojë para, madje edhe pa reformat e nevojshme?! Si duket pazari i shtëpisë nuk del me atë të çarshisë, prandaj tani Maqedonia e mori ndoshta raportin më të keq të mundshëm, me shumë zero në të”, shkruante “Nova Makedonija”, gazeta më e vjetër e përditshme në vend.
Ndërsa portali Zhurnal raportoi me titullin “Raporti i KE-së vërshon me kritika, Qeveria e verbër lavdërohet për të njëjtin raport“!
“Rritja e korrupsionit, keqpërdorimi i flamurit evropian dhe mosbesimi ndaj gjyqësorit, janë tri vërejtjet kryesore në Raportin e Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut. Nga këtu kuptohet që përbrenda këtij raporti kemi probleme të vjetra që po kalbin dhe shkatërrojnë vendin e assesi të largohen. E Qeveria e Maqedonisë së Veriut përkundër kritikave në raport ka mbyllur sytë dhe veshët dhe për të njëjtin raport lavdërohet sikur mos të kishte ndodhur asgjë”, vlerësoi Zhurnal.
Vlerësimet e Institutit “Arbër Xhaferi” dhe përplasja Deskoska – Lloga
Klan Maqedonia, televizion me licencë kabllore raportoi vlerësimet e Institutit të Politikave Publike “Arbër Xhaferi”, në kronikën me titull: “Kryefjala e raportit të progresit është “nuk ka progres”, madje RMV ka shënuar regres në luftën kundër krimit të organizuar“.
“Ajo që bie në sy në raportin e progresit 2023 është se përparimi në nivel të përgjithshëm është thuajse i papërfillshëm. Vlerësimi “no progress” (nuk ka progres), është fjala çelës e këtij raporti, e cila shfaqet 40 herë përbrenda raportit. Shprehja “limited progress” (progres i kufizuar) në anën tjetër shfaqet 30 herë”, thuhet në vlerësimin e IPP “Arbër Xhaferi” që e transmetoi Televizioni Klan.
Ndërsa Televizioni 21 raportoi edhe mbi polemikat në distancë midis ish-ministres së Drejtësisë dhe ministrit aktual të Drejtësisë.
Në raportin me titull “Deskoska: Raporti i KE-së duhet ta aktivizojë alarmin në MD dhe në Këshillin Gjyqësor! Reagon Lloga: O tempora, o mores!” thuhet:
“Nëse i krahasojmë raportet e vitit 2019 deri më sot mund të lexojmë vlerësimet e ardhshme për reformat në gjyqësor: viti 2019 – progres i mirë, viti 2020 – progres i mirë, viti 2021 – pak progres, viti 2022 – pak progres, viti 2023 – nuk ka progres”, shënoi Renata Deskoska.
“Në terr shkruajnë ndryshime ligjore për ta shkatërruar sistemin e drejtësisë, në dritë mbajnë leksione për drejtësinë. O TEMPORA; O MORES!”, shkroi në Fejsbuk ministri aktual i Drejtësisë Krenar Lloga, në përgjigje ndaj Deskoskës, raportoi TV 21.
Përfundime
Disa media lidhur me Raportin e Komisionit Evropian i ndoqën narrativet politike. Edhe pse një pjesë e madhe raportuan objektivisht, pati nga ato që e interpretuan “bardh e zi”, varësisht nga qasja që ka politika editoriale ndaj zhvillimeve të brendshme politike.
Një pjesë e mediave, duke u thirrur në analizat e Institutit të Politikave Evropiane konstatoi ngecje, ndërsa një pjesë relativizonin kritikat për mungesë të progresit të vendit në shumë segmente të jetës shoqërore.
Pushteti, sipas raportimeve mediatike, ka konkluduar se Raporti evidenton 81 % përparim në fusha të ndryshme, por ky konstatim u dekonstruktua nga emisioni për ballaqfaqimin me dezinformatat dhe lajmet e pasakta “Poligraf” si joobjektiv, meqë sipas analizës që e bëri, askund në Raport përparimi i vendit nuk matet me përqindje dhe pëqindje në të nuk përmenden fare.
Një pjesë e mediave evidentuan poentat thelbësore – se lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, mosbesimi ndaj gjyqësorit dhe keqpërdorimi i flamurit evropian, janë pikat kryesore të kritikave të Komisionit Evropian ndaj vendit.
(Autori është profesor universitar në lëmine e gazetarisë dhe komunikimeve publike)
—
Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut