Ekspertët vlerësojnë se Kodi i ri Penal duhet të përfshijë edhe dispozitën e cila ndalon shpagimin e dëmit ndaj personave dhe përfaqësuesve të tyre ligjor akuzat ndaj të cilëve kanë pushuar si pasojë e vjetërsimit absolut. Ish gjykatësi dhe profesori universitar, Sejfulla Osmani thotë se kompensimi i harxhimeve procedurale mund t’i kushton shtetit me miliona euro.
“Ndryshimet ligjore nuk kanë paraparë një dispozitë ku thuhet se ju ndalohet e drejta e kompensimit të harxhimeve procedurale të gjithë atyre të cilët me këto ndryshime ligjore ju ndërpriten procedurat. Apo do konstatohet parashkrimi…..Nuk ka një dispozitë të tillë që ju ndalon të drejtën e kompensimit procedural. Ani se na duket neve por ato nuk janë shuma të vogla. Janë shuma të mëdha, të mos them milionëshe”, tha Sejfulla Osmani, Ish gjykatës.
Lidhur me projekt-Ligjin për konfiskimin e pasurisë në procedura civile, Osmani thotë se do të jetë i vështirë procesi i konfiskimit civil derisa ndaj subjektit ose personit fizik nuk ka procedurë penale.
“Në qoftëse në procedura penale ku kemi një paditës të specializuar, nuk kemi rezultate të pranueshme për atë se si është dhe sa është konfiskuar pasuria e përfituar nga krimi, përmes procedurave civile nuk e di se si do ta arrijë Avokati i Shtetit. Çdokush do të nxirret në atë se nuk është i fajshëm dhe pse duhet të thirret në përgjegjësi financiare nëse nuk ka përgjegjësi penale”, deklaroi Sejfulla Osmani, Ish gjykatës.
Si pasojë e ndryshimeve të fundit në Kodin Penal shumë akuza të ish PSP-së pushuan apo u konstatua vjetërsim absolut. Pasuria që ishte paraparë të konfiskohet nga personat që ishin subjekt i veprave penale ndërpritet në momentin kur Prokuroria Publike tërheq akuzat.
Kushti për konfiskim është vërtetimi i fajësisë. Qeveria për të parandaluar rikthimin e pasurisë në llogari të ish të akuzuarve ka propozuar ligj përmes të cilit do të kërkohet arsyetimi i vlerës së pasurisë mbi 50.000 euro. Propozimi për momentin ndodhet në fazën e debatit publik. /Alsat.mk