Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka deklaruar se bombardimi i Spitalit Baptist Al-Ahli në Gaza tregon situatën dramatike të njerëzve që jetojnë atje, raporton Anadolu.
“Dua të shpreh emocionin tim për informacionin e fundit për bombardimin e një spitali në Gaza, i cili është bombarduar. Shumë viktima. Kjo po tregon gjendjen dramatike të njerëzve që janë atje”, tha Michel në një konferencë për media të mbajtur pas video-konferencës së anëtarëve të Bashkimit Evropian (BE) mbi zhvillimet e fundit në konfliktin Izrael-Palestinë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Ashraf al-Qudra, për Anadolu njoftoi se mbi 500 njerëz u vranë në një sulm ajror izraelit në Spitalin Baptist Al-Ahli në Rripin e Gazës mbrëmjen e sotme.
Pamjet treguan kufoma të shpërndara nëpër mjediset e spitalit.
Sipas korrespondentit të Anadolu-t, mijëra palestinezë ishin në spital kur ndërtesa u bombardua.