Grupi palestinez Hamas ka kërcënuar se sulmet izraelite ndaj civilëve do të përballen me vrasjen e robërve izraelitë në Gaza, transmeton Anadolu.
“Çdo shënjestrim i njerëzve tanë që janë të sigurt në shtëpitë e tyre pa paralajmërim paraprak do të përballet me keqardhje me ekzekutimin e një prej pengjeve civile të armikut tonë dhe ne do ta transmetojmë këtë me audio dhe video”, tha në një fjalim Abu Ubaida, zëdhënës i krahut ushtarak të grupit, Brigadat Izzedin al-Qassam.
Siç raportojnë ‘Al Jazeera’, Ubaida tha se njoftojmë këtë vendim për ta “mbajtur armikun sionist dhe lidershipin e tij përgjegjës për këtë vendim përpara botës”.
Më herët, radio e ushtrisë izraelite tha se “Izraeli ka vendosur të vazhdojë sulmet në Rripin e Gazës, edhe nëse kjo do të thotë të dëmtojë të burgosurit e tij” të mbajtur nga Hamasi.
Sipas kanalit izraelit ‘Channel 12’, numri i pengjeve izraelite vlerësohet se është mbi 100.
Të shtunën, grupi i rezistencës ‘Hamas’ me bazë në Gaza nisi operacionin “Tufani i Aksasë” kundër Izraelit, duke lëshuar një breshëri raketash. Grupi tha se sulmi i befasishëm ishte në përgjigje të sulmit ndaj xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe rritjes së dhunës së kolonëve.
Ushtria izraelit në hakmarrje nisi një operacion kundër grupit ‘Hamas’ në Rripin e Gazës.
Ministria e Shëndetësisë me bazë në Gaza njoftoi se mes luftimeve të vazhdueshme numri i palestinezëve të vrarë nga forcat izraelite në Gaza është rritur në 560, ndërsa numri i personave të lënduar është rritur në 2.900.
Ndërkohë, sipas Ministrisë izraelite të Shëndetësisë, të paktën 800 izraelitë janë vrarë dhe mbi 2.300 të tjerë janë plagosur në luftime.