Ministri i Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës – Azir Aliu, sot organizoi “briefing” (takim) me qëllim që në mënyrë transparente ta informojë opinionin lidhur me prioritet, politikat dhe zhvillimet kyçe në Ministrinë që ai po drejton.
Ndër të tjera, ministri iu referua procesit të reformave në administratën publike, i cili është një parakusht i rëndësishëm për integrimin e vendit në BE:
,,Së shpejti do të votohen ligjet për reformat në administratën publike që pritet prej vitesh. Ligji për të Punësuarit në Sektorin Publik dhe Ligji për Nëpunësit Administrativë, të cilët së shpejti do të kalojnë në Qeveri, kanë për qëllim përmirësimin e shërbimeve dhe efikasitetin e administratës publike në vendin tonë. Ato do të përfshijnë masa për trajnimin e të punësuarve në administratën publike, rregullimin e marrëdhënieve të punës dhe modernizimin e proceseve administrative”, theksoi ministri Aliu.
Në takim me gazetarët, ministri Aliu foli edhe për Ligjin mbi Sigurinë e Rrjeteve, Sistemet e Informacionit dhe Transformimin Digjital:
,,Ky ligj, që është një nga shtyllat kryesore dhe u hartua në kohë rekorde, ka për qëllim ta vendosë strukturën dhe funksionet e Agjencisë së Digjitalizimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila do të kujdeset për zhvillimin e infrastrukturës digjitale, sigurinë e informacionit dhe zhvillimin e shërbimeve publike dhe përparimin e përdorimit të teknologjisë në shërbimet publike.
Qëllimi ynë kryesor është plotësimi i standarteve dhe kushteve për të siguruar një të ardhme të sigurtë në Bashkimin Evropian, ndaj puna që po bëhet me transformimin digjital dhe reformat në administratën publike janë në fokusin e Qeverisë sonë”, përfundoi Aliu.