Për platformën #Depolarizohu, pjesë e projektit “Përmes depolarizimit deri në institucione demokratike, stabile, inkluzive: kontribut i shoqërisë civile”, Instituti për Media dhe Analitikë IMA bisedoi me Avokatin e Popullit, Naser Ziberi.
Ziberi: Rasti i Onkologjisë është më dramatik, shpresoj të merr epilog gjyqësor
IMA: Sa ankesa për korrupsion arrijnë prej qytetarëve dhe si vepron avokati i popullit në raste të tilla? Kishim rastin e fundit të skandalit me Klinikën e Onkologjisë. Në projektin tonë Depolarizohu, po ashtu arrijnë shumë ankesa të qytetarëve të cilët kanë sëmundje të rralla. Si veproni në këtë rast?
Ziberi: Në këtë kuptim, Avokati i Popullit vepron në dimensionin e mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve në lëminë e mbrojtjes shëndetësorë. Sfera e anti-korrupsionit është sferë e një institucionit tjetër, është fakt se edhe te ne drejtohen. Dhe ne të gjitha ato parashtresa dhe ankesa ia drejtojmë për kompetencë organit kompetent, pra, Komisionit për prevenim dhe mbrojtje nga diskriminimi (Korrupsioni v.j). Brenda këtyre tetë muajve, tanimë jemi në muajin e nëntë, kemi pasur 8 parashtresa, pra, qytetarët janë kryesisht të informuar se institucioni të cilit duhet t’i drejtohen është Komisioni për Anti-korrupsion. Por, edhe ata që vijnë, ne i drejtojmë atje.
Sa i përket pjesës së dytë të problemit, po, ne kemi ngritur disa iniciativa, dhe jam i detyruar të them se nuk jemi të kënaqur me bashkëpunimin me Ministrinë e Shëndetësisë. Shpresoj që ministri aktual ka filluar të japë një impuls të ri në këtë drejtim dhe pres që t’i mbajë premtimet e bëra që nga emërimi i tij. Dhe, ne kemi pasur iniciativë për ngritjen e çështjes së zgjerimit të listës pozitive të barnave, të cilat nuk janë azhurnuar 10 vite të tëra. Ndërkohë kanë dalë medikamente dhe barna, të cilat janë shumëfish më efikas sesa ata ekzistues, ndërsa qytetarët detyrohen që t’i paguajnë. Pra, duhet një rifreskim i kësaj liste, përgjigjja e ministrit është se plotësisht është dakord me ne dhe se të njëjtën do të ia dërgojë komisionit përkatës, sepse ekziston komision i posaçëm për këtë, por vizën kryesore duhet ta japë Qeveria, sepse implikimet financiare shkojnë përmes Buxhetit dhe Fondit për Sigurim Shëndetësor.
Kemi pasur po ashtu iniciativë për personat me sëmundje të rralla, të cilët po ashtu nuk kanë qasje deri te institucionet dhe sidomos te barnat për trajtimin e të njëjtave. Është më mediatikisht i eksploatuar rasti i furnizimit me barin “Trikafta”, i cili ishte tërësisht i pakapshëm dhe, si rezultat i asaj, madje kishim edhe një viktimë. Ne mbi këtë rast konstatuam shkelje të rëndë të të drejtave në lëminë shëndetësore te qytetarëve, dhe se për këtë pushteti është përgjegjës, рespektivisht, shteti nuk ka mundësuar rimbursimin me kohë me këto ilaçe për personat me raste të këtilla.
Rasti i Onkologjisë është rast edhe më dramatik, dhe unë shpresoj që ai rast do të merr epilog gjyqësor, por, sido që të jetë, ne e përcjellim në kuptim të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të qytetarëve. Ne kemi pasur edhe ankesë në këtë drejtim, dhe atë e kemi në përpunim e sipër. Por, po them, shumica e këtyre rasteve të ngjashme në sferën e shëndetësisë janë të një periudhe që nuk lidhet me ministrin aktual, por përshtypja ime mund të mos jetë edhe e saktë. Më duket se, përkundër përpjekjeve të tija, rezultatet ende mungojnë, do të thotë, e humb hapin me problemet me të cilat ballafaqohet.
Ziberi: Dominojnë ankesat për diskriminim në punësim dhe arsim, si dhe ankesat te fëmijët, personat me hendikep dhe komuniteti rom
IMA: Çfarë nismash dhe masash ndërmerr Avokati i Popullit për të ndërtuar një shoqëri demokratike të qytetarëve të barabartë që nënkupton edhe luftë efikase kundër të gjitha formave të diskriminimit dhe të gjuhës së urrejtjes?
Ziberi: Diskriminimi është një nga mandatet themelore të institucionit të Avokatit të Popullit, dhe atë e parasheh edhe Kushtetuta, neni 77, që rregullon pozitën e institucionit të Avokatit të Popullit, dhe atje shprehimisht thuhet se Avokati i Popullit kujdeset për mbrojtje nga diskriminimi dhe atë mbi baza etnike dhe të natyrave të tjera – duke përfshirë këtu edhe përfaqësimin e drejtë dhe proporcional të qytetarëve në sektorin publik.
Si rezultat i asaj, ne kemi dy sektorë që merren me këtë çështje. Njëri, i cili vepron në bazë të parashtresave që na ushtrohen, dhe vitin e kaluar kemi pasur 38 parashtresa në lëminë e mbrojtjes nga diskriminimi, edhe përkundër faktit se tani ka institucion të veçantë, Komisioni përkatës, por edhe Avokati i Popullit e ka mandat mbrojtjen nga diskriminimi.
Dhe, në qoftë se i bëhet një analizë ankesave që i parashtrohen institucionit të Avokatit të Popullit, do të shihet se dominojnë ankesat për diskriminim në sferën e punësimit, apo marrëdhënieve të punës. Shpeshherë këtu vijmë në situatat që të ngremë procedura për keqpërdorimin e përkatësisë etnike në sferën e inkuadrimit në sektorin publik, sepse, siç e dini, edhe me ligj është paraparë që të gjitha institucionet të kenë kujdes në rastin e pranimit të administratorëve në strukturën etnike, në mënyrë që të ketë një balancim të përfaqësimit.
Dhe, një lëmi shumë e theksuar në sferën e diskriminimit, përveç marrëdhënieve të punës, është procesi edukativo-arsimor. Ne fatkeqësisht, vitin e kaluar kemi konstatuar dy raste ekstreme të diskriminimit në forma të segregacionit në dy shkolla fillore, në Shtip dhe në Manastir, që fatkeqësisht edhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg i kanë konfirmuar me vendime të plotfuqishme se në këto shkolla ka segregacion ndaj nxënësve të komunitetit rom.
Çka mund të bëjë Avokati i Popullit, pyetët në pjesën e dytë. Avokati i Popullit, kuptohet, duhet ta ngritë zërin kundër të gjitha formave të diskriminimit, dhe sidomos ndaj dy kategorive të theksuara: personat me pengesa në zhvillim, fëmijët, dhe pjesëtaret e komunitetit rom – si tre kategori më të prekshme dhe më fragjile në shoqërinë tonë. Fatkeqësisht në sferën e mbrojtjes së të drejtave të personave me pengesa në zhvillim apo me hendikep, dhe sidomos të drejtave të fëmijëve, edhe pse ekzistojnë dy konventa ndërkombëtare të cilat vendi ynë i ka aprovuar dhe ato paraqesin më pjesë e legjislaturës vendore, ne jemi larg plotësimit të kushteve.
Vitin e kaluar nënshkruam një memorandum për bashkëpunim me sektorin joqeveritar, respektivisht, ato shoqëritë të cilat e përcjellin punën e institucioneve në drejtim të eliminimit diskriminimit, por fatkeqësisht rezultatet mungojnë shumë. Unë vetëm disa raste tipike do t’ua them.
Në procesin zgjedhor, në 37 për qind të vendvotimeve nuk kanë qasje personat me hendikep që të ushtrojnë të drejtën e votimit. Në disa institucione publike, po ashtu, kanë pengesa në qasjen në këto institucione, përfshirë edhe institucionin i cili duhet t’i mbrojë të drejtat e tyre, pra institucionin e Avokatit të Popullit. Ne, sipas standardeve që kërkohen për qasjen e këtyre personave në institucionet publike, nuk jemi kompatibil. Pse? Sepse Ministria e Financave nuk na akordon mjete të mjaftueshme që ta adaptojmë qasjen tonë për këta persona.
Fëmijët, po ashtu, me pengesa në zhvillim dhe si një kategori më e ndjeshme dhe fragjile, janë po ashtu në observimin tonë, dhe këto tendenca të diskriminimit janë ende prezente.
Do t’i marr vetëm dy rastet e fundit për të cilat kemi ngritur lëndë, dhe ato janë: pamundësimi i mësimit në gjuhën amtare për nxënësit e fshatit Idrizovë, edhe pse ekzistojnë hapësira në shkollën ekzistuese, nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën e zhvillojnë mësimin aty, nga klasa e pestë e sipër pengohen që të vazhdojnë mësimin në gjuhën shqipe në shkollën përkatëse në Idrizovë.
Ngjashëm, edhe me situatën në shkollën e mesme, gjimnazin e qytetit të Velesit. Edhe pse, rasti i Velesit është pak i komplikuar, në kuptimin se vetë konkursi ka qenë i pa adaptuar dhe ka shkaktuar që një pjesë e nxënësve që kanë konkurruar të mos i plotësojnë numrin e poenëve në 60 që parasheh konkursi për regjistrim në gjimnaze, ndërsa nuk është paraparë hapje e paraleleve në gjuhën shqipe për nxënës me numër të poenëve ndër 60, edhe pse ekzistojnë shkolla të zanateve profesionale, të cilat kërkojnë 40 poenë e jo 60, siç kërkon gjimnazi. Dhe, si rezultat i kësaj mosmarrëveshjeje, atyre nxënësve u bëhet padrejtësia që mos ta ndjekin mësimin në gjuhën shqipe. Pra, sfera e arsimit mbetet si një nga sferat më problematike në të cilat tendencat e diskriminimit janë prezente.
Kuptohet, Avokati i Popullit duhet të vazhdojë edhe më tutje që t’i përcjellë këto situata, por edhe të ngritë iniciativa. Dhe, kur jam këtu, në funksion të këtyre iniciativave është edhe propozimi i jonë për ndryshimin e Ligjit për arsimin e mesëm, në të cilin duhet të futet obligimi i shtetit për sigurimin e asistentëve profesional dhe arsimor. Sepse, në bazë të legjislaturës aktuale, këtë të drejtë e gëzojnë vetëm fëmijët në arsimin fillor, edhe pse edhe atje kemi probleme, sepse diku 80 për qind e nxënësve me hendikep janë të përfshirë me asistent profesional ose arsimor, ndërsa në shkollimin e mesëm, pra kur këta nxënës kalojnë në shkollimin e mesëm, shteti nuk e ka obligim që të ua vazhdojë asistencën profesionale ose arsimore, dhe prindërit detyrohen që me mjetet e tyre të sigurojnë kuadër të këtillë. Kjo duhet të jetë, sipas konventave ndërkombëtare, obligim i shtetit.
Ziberi: Shumë ankesa për gjuhë urrejtjeje ndaj personave me përkatësi etnike bullgare dhe të grupeve LGBTI
IMA: Shkurtimisht – jeni të kyçur në aktivitetet për parandalimin e gjuhës së urrejtjes?
Ziberi: Gjuhën e urrejtjes e përcjellim, kemi shumë ankesa. Dhe, këtu do t’i theksoj dy fenomene: fenomenin e ankesave që vijnë nga persona që deklarohen me përkatësi etnike bullgare, e të cilët ankohen se janë në shënjestër të tezave që plasohen sidomos në rrjetet sociale, dhe tendencat e theksuara po ashtu në këtë domen të masmediave për shkaktimin e diskriminimit, diskreditimit të personave të grupeve LGBTI, që po ashtu janë në fokus të këtyre tendencave.
Ne fatkeqësisht kemi situata të theksuara, kemi pasur disa ankesa në këtë adresë, një numër i tyre na janë refuzuar, sepse Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka arritur që t’i dokumentojë dhe që t’i argumentojë me materiale të mjaftueshme, dhe, si rezultat i asaj, prokuroritë përkatëse i kanë hedhur poshtë. Por, mendoj se kjo sferë do të duhej të trajtohet edhe më tutje, edhe pse së paku unë kam informacione se përfaqësues të shoqërisë civile po edhe të mediave sikur dëshirojnë që sfera e komunikimit në rrjetet sociale, në rrjetet elektronike të mbetet kështu si është, që do të thotë të mos ketë një rregullativë ligjore, e cila në anën tjetër le hapësirë për keqpërdorim të tyre.
Liria e çdokujt zgjatet deri atje ku nuk pengohet liria e tjetrit. Në momentin kur me veprimet e mia, unë prek liritë dhe të drejtat e tua, atëherë unë kam shkelur në terren i cili është nën ndëshkim, respektivisht nën sanksion, pa marrë parasysh formës në të cilën e kam bërë: përmes mediave, përmes veprimeve të administratës apo ndonjë veprim tjetër.
Intervistoi: Petrit Saraçini, më 21 shtator 2023
Kamera dhe montazhi: Zharko Trajanoski
Transkripti dhe përkthimi: Meriton Tusha