1Komuna e Aerodromit është ndër vendet e Shkupit ku janë ndërtuar më së shumti ndërtesa gjatë dy dekadave të fundit. Qytetarët kanë humbur, po ashtu, betejën për ndërtesën nëntëkatëshe pranë “Shtëpisë së Nënës”. Aktivistët nga organizata “Duam që Aerodromi të frymojë” kanë thënë se aty ku Organizata e Brendshme Revolucionare Maqedonase – Partia Demokratike për Unitet Kombëtar Maqedonas (VMRO-DPMNE)është ndalur, ka vazhduar Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM). Administrata aktuale e Komunës së Aerodromit, e udhëhequr nga Timço Mucunski, nuk ka inspektor ndërtimi.
Dikur
Sot

2Mali Vodno është atraktiv për “mafitë e ndërtimeve”. Betonimi dhe ekskavatorët janë ndalur nga Gjykata Kushtetuese me vendimin e fundit, i cili ka shfuqizuar Planin e Detajuar Urban për Vodnon e Vjetër, Vodnon e Poshtme, Kurillon e Vogël dhe Institutin për Rehabilitim Mjekësor. Rasti “Parcelat në Vodno”, në të cilin u dënuan ish-kryeministri Nikolla Gruevski, kushëriri i tij dhe ish-drejtori i Departamentit për Siguri dhe Kundërzbulim i Maqedonisë së Veriut, Sasho Mijallkov, dhe biznesmeni Orce Kamchev, do të kujtohet si një ndër skandalet më të mëdha lidhur me urbanizimin e malit.
Dikur
Sot

3Vende ndërtimi në çdo cep. Kësisoj, vendbanimi i qetë Taftalixhe, që ndodhet brenda Komunës së Karposhit, është shndërruar nga një vend i këndshëm për të jetuar, me shtëpi individuale, në një vendbanim me potencial të madh për ndërtesa. Banorët ankohen se lejet e ndërtimit jepen pa kontroll, dhe ata sot u frikohen përmbytjeve, ndotjes së madhe të ajrit, parkingjeve të uzurpuara dhe arbitrarizmit. Betonimi i vendbanimit paqësor është nxitur nga disa biznesmenë nga sektori i ndërtimit, sidomos gjatë udhëheqjes nga Stevço Jakimovski. Plani i ri urban më 2016 është shpalosur një ditë para Krishtlindjeve.
Dikur
Sot

4Në sheshin “Maqedonia”, saktësisht 20 vjet më parë, blloqet e vjetra janë rrënuar dhe pamja ka ndryshuar rrënjësisht – prandaj sot ju pret një dukje krejtësisht e re e sheshit, që u krijua sipas projektit “Shkupi 2014”. Ajo që është paralajmëruar në një video-prezantim të projektit shumë të kundërshtuar të qeverisë së Nikolla Gruevskit tashmë është zbatuar. Janë ngritur monumente të shumta të figurave të shquara nga historia e vendit, por më i madhi nga ta, “Luftëtari mbi kalë”, i lartë 22 metra, qëndron sipër të gjithëve. I bërë nga bronzi dhe nga mermeri, me shatërvanë e me skulptura, ai u gjend në qendër të reagimeve ndaj projektit, për shkak të kostos dhe për shkak të paralajmërimit të tij si monument për Aleksandrin e Madh.
Dikur
Sot

5“Banorët e Gjorçe Petrovit kundër betonimit” janë titujt më të shpeshtë në media, pas prezantimit të planeve të reja urbane në pesë vjetët e fundit. Ideja e ndërtimit të ndërtesave të larta prej 33 metrash, të 17 ndërtesave afër rrethrrotullimit pranë Kishës së Shën Pjetrit dhe Palit, të 50 ndërtesave pranë “Dexion”-it, si dhe e betonimit të Hromit të qetë dhe e disa vendeve të tjera, shqetëson banorët. Por, nëse e shikoni hartën e Gjorçe Petrovit të 20 vjetëve më parë, dhe atë të sotme, kjo komunë tashmë i është nënshtruar shumë ndryshimeve urbane, në dëm të gjelbërimit.
Dikur
Sot

6Mëhalla e Dibrës – lagja e populluar, me shtëpi, u rrit në një vendbanim edhe më të populluar, por tani me ndërtesa. Gjatë dy dekadave të fundit, qendra e metropolit është bërë edhe më atraktive për jetesë, prandaj çmimi i metrit katror ka kulmuar. Ndonëse Mëhalla e Dibrës ka qenë mbase viktima e parë e manisë së ndërtimit dhe ende po pëson ndryshime, hapësirat e gjelbra pranë ndërtesave janë ende të rëndësishme.
Dikur
Sot

7Vetë emri Lisiçë e Re flet për vendbanimin, i cili është duke u urbanizuar shumë kohëve të fundit. Nëse deri dy dekada më parë ishte ende e mundshme të shihej se zona e tokës së pazhvilluar dominonte në një prej fushave më pjellore në luginën e Shkupit, sot mund të shihet se si janë ngritur një mori ndërtesash atje.
Dikur
Sot

8Një pjesë e Lisiçës së Re, e ashtuquajtura Qendra e Qarkut, ku janë ngritur shumë ndërtesa.
Dikur
Sot

9“Miçurini”, lagja e emërtuar sipas një botanisti rus, është zhvilluar nga një lagje me shtëpi të vogla dhe ndërtesa të ulëta, në një vend atraktiv për ndërtesa shumëkatëshe banimi. Gjatë dy dekadave të fundit, numri i banorëve është rritur në mënyrë dramatike, teksa vendbanimi është tërheqës për shkak të afërsisë me qendrën e Shkupit.
Dikur
Sot

10Gazi Baba është i vetmi vendbanim në Shkup që ka pyll. Por, edhe atje, pamja nga lart shfaq se ideja e urbanizimit dhe betonimit nuk e ka kursyer as atë. Zonat e gjelbra po tkurren, në dëm të ndërtesave.