Përgjegjësia po adresohet në dy persona, të cilët në Konferencën e djeshme demonstruan një pa përgjegjësi të lartë, këtu nuk kam asnjë dyshim. Por çështja duhet të shtrohet, a janë vetëm ata fajtor?
Sot po e shohim të gjithë, por ku ishin ata dhjetëra e dhjetëra veprimtarë politikë që i nxorën në krye të partive politike këta njerëz, a kanë ata ndonjë përgjegjësi? A kanë ndonjë përgjegjësi përfaqësuesit e zgjedhur të popullit, të subjekteve politike të shefave në pushtet?
Çfarë interesa janë duke mbrojtur ata? Interesat e atyre që përfaqësojnë apo interesat e një rroge të deputetit? Apo mos po mendojnë se e kanë në Kuvend një vend pune, vetëm për veten e tyre apo të shumtën për familjen e tyre?
Pas protestës së 17 shkurtit 2016, deputetet e zgjedhur nga populli a duhet të jenë të popullit apo të shefave të tyre partiak? Nëse mbesin pas shefave edhe pas Konferencës skandaloze të tyre, Ata nuk janë përfaqësues të qytetarëve, nuk mbrojnë interesat e qytetarëve që ishin në sheshet e rrugët e Prishtinës, nuk janë në mbrojtje të Shtetit të Pavarur, Sovran e Demokratik! ATËHERË NË SHËRBIM TË KUJT JANË?
Deputetet e Kuvendit të Kosovës deri më tani, në plot raste ishin numra. Ishin numra kur votuan marrëveshjen e 19 prillit 2013. Ishin numra kur votuan Gjykatën Speciale. Ishin numra, kur në vitin 2011 votuan dy herë për njerëzit e parë të shtetit, ishin numra edhe kur sugjeroheshin që të votonin me YES ose me NO!
A nuk është koha që tani, mos të pranojnë të jenë numra, është koha e fundit që ata të bëhen vetvetja, të votojnë mocionin për mosbesim për këta Kryeministra, që komunikimin më protestuesit e djeshëm dhe opozitën e patën më shumë se skandaloz, më shumë se të pa kulturë e edukatë.
Deputet mbroni interesin e popullit, pushoni të jeni numra me qëllim që vendit t’ i jepni zgjidhjen e duhur. Bëhuni shembull i mirë, jo vetëm për vete, por edhe për deputetet e ardhshëm, që të fillon epoka për mbrojtjen e interesit të kombit e të shtetit e jo te liderëve që matën me “hijen e mëngjesit”. Çofshin ata në pushtet apo në opozitë!
Mos tua japim shtagën e pushtetit, kurrë dhe askujt që ka shenja të dukshme, të autokratit. Shembullin më të mirë të kësaj që thash janë Kryeministrat e sotëm të Kosovës, të cilët, thënë më së buti janë verbuar.
Unë besoj që kemi njerëz të urtë, që e meritojnë besimin e qytetarëve tanë, por ata nuk janë rrahagjoks e as mujsharë apo mashtrues, por janë udhëheqësit e duhur për kombin e shtetin.
Ata janë mes nesh dhe duhet t’ua ofrojmë drejtimin e kombit e të shtetit!
Përndryshe, përgjegjësia nuk mund të adresohet vetëm në dy persona! Përgjegjës janë apo edhe jemi të gjithë ata/ne që ua dhanë/dhamë shtagën e pushtetit!