Negociatat me Bashkimin Evropian (BE) nuk do të ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e ndikimit rus në Maqedoni, sepse vendi është anëtar i NATO-s dhe pjesë e sistemit të sigurisë së përbashkët të aleancës, tha Prof. Dr. Ratko Duev, profesor universitar, duke komentuar mundësinë e rritjes së ndikimit rus në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon, si rezultat i dështimit të mundshëm të miratimit të ndryshimeve të nevojshme kushtetuese për futjen e komunitetit bullgar në Preambulë.
“Negociatat do të kenë një ndikim më të madh në ekonomi, për shkak të mundësisë së qasjes në fondet evropiane të zhvillimit. Problemi është në politikën e dyfishtë evropiane që ndikoi shumë në qëndrimet pro-ruse të një pjese të madhe të qytetarëve në vendin tonë. Si ngushëllim për ndryshimin e dhimbshëm të emrit, të gjithë liderët evropianë nënshkruan Marrëveshjen e Prespës, përfshirë edhe presidentin e Francës, zotin Emmanuel Makron, i cili premtoi se ishte sakrifica jonë e fundit në rrugën drejt NATO-s dhe BE-së. Por shpejt pasuan kushte të reja për Maqedoninë në rrugën drejt BE-së. Evropa pëson dëmin më të madh nga lufta në Ukrainë dhe vendet evropiane nuk kanë nxjerrë mësime nga e kaluara”, thotë profesor Duev për “Frontlajn”, përcjell PRESSonline.al
Për të gjithë ne, shton ai, si pjesë e kontinentit evropian, mbeten shumë pyetje të hapura: Nëse Evropa do t’i kishte shmangur luftërat ballkanike pas rënies së komunizmit dhe do të përshpejtonte proceset integruese të shteteve evropiane jashtë Bashkimit Evropian, a do të kishim një Evropë ndryshe sot?
“Në botën e re dhe në mënyrën e re të luftës dhe përhapjes së ndikimit, me luftëra hibride, objektiv i përhapjes së ndikimit rus do të jetë jo vetëm Maqedonia, por i gjithë rajoni. Vihet re se ndikimi ka rrënjë më të thella në shoqërinë tonë, nuk është një fenomen i papritur. Për fat të keq, politika e keqe e shteteve të fuqishme evropiane ndaj Maqedonisë në dy dekadat e fundit u përdor për të forcuar ndikimin rus. Interesat e fuqive të mëdha janë përplasur gjithmonë në Ballkan si urë dhe rrugë drejt Lindjes. Mos-integrimi i plotë i saj në NATO dhe BE lë hapësirë për përhapjen e ndikimeve të tjera të ndryshme që mund të sjellin edhe një herë shkatërrim në rajonin siç e njohim nga e kaluara e afërt. Historia na mëson se Rusia nuk ka ndjekur kurrë një politikë që i ka sjellë dobi Maqedonisë. Shpresoj se do të tregohemi të mençur dhe do të vazhdojmë në rrugën për të cilën të gjithë faktorët politikë në vend kanë konsensus që nga pavarësia e deri më sot, në të kundërtën do të kemi një të ardhme të pasigurt”, tha prof. Dr. Ratko Duev, profesor universitar, përcjell PRESSonline.al
Selim Ibraimi nga Instituti për Studime të Sigurisë dhe Zhvillimit (ISSD-Maqedoni) beson se ndikimi rus në Ballkan ka qenë gjithmonë aktiv dhe është për shkak të natyrës së popullsisë që jeton në këtë zonë.
“Qeveria dhe grupet properëndimore duhet të bëjnë më shumë për ndryshimet kushtetuese. Duket se Shkupi po bën shumë pak për të miratuar këto ndryshime. Duhet të ketë më shumë vendosmëri për ndryshimet që në fund të fundit janë në favor të palës maqedonase. Nëse ndryshimet nuk kalohen kurrë, sigurisht që grupet radikale, qoftë nga Serbia apo nga vendet e treta, do të synojnë të forcojnë ndikimin e tyre dhe të rifitojnë zonën e dikurshme të ndikimit rus në Ballkan. Në këtë linjë, përbërja etno-fetare e Ballkanit dhe Maqedonisë së Veriut duhet të sigurojë një hapësirë të madhe për dezinformim dhe të mbajë gjallë ëndrrën ruse. Aktualisht, rusët dhe serbët janë aktivë në botën virtuale të dezinformatave dhe aty janë aktiv edhe maqedonasit|, tha Selimi për “Frontline”, përcjell PRESSonline.al
Sipas tij, beteja e qeverisë mund të humbasë nëse vazhdon me këtë dinamikë të informimit për paketën e ndryshimeve kushtetuese.
“Përveç metodave hibride si dezinformimi, rusët, serbët dhe forcat radikale në Maqedoninë e Veriut mund të provojnë mjete të tjera për të ulur interesin për ndryshimet kushtetuese, si p.sh. angazhimi e njerëzve në terren, në pjesën maqedonase, për të rritur pakënaqësinë me qeverinë. Meqenëse radikalizmi ruso-serb dhe maqedonas është i pranishëm në rajon, qeveria duhet të veprojë më shpejt në sigurimin e terrenit për të bërë ndryshimet. Përndryshe, kthimi i botës ruso-serbe në Ballkan do të ishte një hap drejt ndarjeve të reja dhe nxitjes së tensioneve etno-fetare”, thekson Ibraimi.
Nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë njoftoi se Sofja nuk ka kushte të reja për Republikën e Maqedonisë së Veriut.
“Bullgaria nuk ka kushte të reja ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut. Përkundrazi, ajo sinqerisht dëshiron të shohë fqinjin e saj duke avancuar drejt anëtarësimit të plotë, përmes sukseseve në procesin e reformave dhe përpjekjeve për të ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore. Ne presim hapin e parë në këtë proces, në përputhje me zotimet e nënshkruara nga Shkupi në korrik 2022, hyrjen në fuqi e ndryshimeve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut për qytetarët që jetojnë në territorin e këtij vendi dhe janë pjesë e kombeve të tjera, si populli bullgar, sipas procedurave të brendshme”, thuhet në njoftimin e MPJ-së bullgare, përcjell PRESSonline.al
Nga këtu, bie në ujë teza e opozitares VMRO-DPMNE dhe Hristijan Mickoskit se edhe pas futjes së bullgarëve në Preambulën e Kushtetutës, Bullgaria do të ketë kërkesa të tjera ndaj Maqedonisë së Veriut.
Pas Rezolutës në Bundestagun gjerman, njoftimi nga Franca për një Rezolutë të mundshme dhe deklarata e MPJ-së bullgare janë në drejtim të garancive që kërkon Mickoski për ndryshimet kushtetuese, se kjo do të jetë kërkesa e fundit e palës bullgare ndaj Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt BE-së.