Sipas të dhënave të anketës së Institutit për Kërkime Politike-Shkup (IPIS), nga 1112 të anketuar, 63,3 për qind kanë pikëpamje pozitive për nismën “Ballkani i Hapur”, në të cilën përfshihen Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia, informon PRESSonline.
Analiza krahasuese me anketën e IPIS nga viti 2020 tregon rritje të besimit të qytetarëve tek iniciativa “Ballkani i Hapur”, duke marrë parasysh se në atë kohë 42.4 për qind e të anketuarve kishin qëndrim pozitiv ndaj nismës, ndërsa 39.9 për qind qëndrim negativ. Këtë vit, vetëm 15.9 për qind e qytetarëve të anketuar kanë qëndrim negativ ndaj “Ballkanit të Hapur”.
Në anën tjetër, të rinjtë kanë qëndrimin më pozitiv ndaj kësaj nisme. Në mesin e të anketuarve nën 30 vjeç, 70.9 për qind kanë një opinion pozitiv për “Ballkanin e Hapur”.
Në pyetjen se me cilin vend në rajon kemi marrëdhëniet më të mira, 56,5 për qind e të anketuarve kanë treguar Serbinë, e ndjekur nga Shqipëria me 11,3 për qind, Turqia dhe Kosova me 3,3 për qind, Kroacia me 2,6 për qind, Sllovenia me 1,2, Greqia me 1,1 dhe Bullgaria me 0.9 për qind.
Si shtet me të cilin vendi ka marrëdhëniet më të këqija, 64.6 për qind e të anketuarve kanë treguar Bullgarinë, e ndjekur nga Greqia me 9.2, Shqipëria me 3.4, Serbia me 2 dhe Kosova me 1.2 për qind.
Sondazhi është realizuar për nevojat e emisionit “Detektor”, ndërsa anketa IPIS është realizuar me telefon në periudhën 2-6 maj