Forcat ukrainase kanë avancuar rreth Bakhmutit. Kjo u bë e ditur nga zëvendësministrja e Mbrojtjes, Hanna Maliar, e cila e përshkroi qytetin lindor si “epiqendrën e armiqësive”, por nuk konfirmoi nëse kishte filluar kundërofensiva e shumëpritur.
Në orët e para të së martës, sirenat e sulmit ajror u aktivizuan për disa orë në të gjithë Ukrainën. Në kryeqytetin Kiev, të gjitha raketat, më shumë se 20, u rrëzuan, thanë zyrtarët e qytetit.
Ndërkohë një digë e madhe e vendosur në një pjesë të kontrolluar nga Rusia në Ukrainën jugore është hedhur në erë nga forcat ruse, pretendon ushtria e Ukrainës, por ky lajm është konfirmuar edhe nga zyrtari rus.
Policia dhe punonjësit e urgjencës janë në gatishmëri për të evakuuar civilët nga zonat e mundshme të përmbytjeve pasi uji rrjedh nga diga e shkatërruar Nova Khakova në rajonin jugor të Khersonit, tha Ministria e Punëve të Brendshme të Ukrainës në një deklaratë të martën.
Sipas ministrisë, “zona e rrezikut” përfshin fshatrat Mykolaivka, Olhivka, Liovo, Tiahynka, Poniativka, Ivanivka, Tokarivka, Poniativka, Prydniprovske, Sadove dhe rrethin e ishullit Korabel të qytetit Kherson.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të mbajë një takim urgjent të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes pas shkatërrimit të digës Nova Kakhovka, tha të martën sekretari i këshillit, Oleksii Danilov.
Evakuimet nga zonat e mundshme të përmbytjeve kanë filluar tashmë, sipas Oleksandr Prokudin, kreut të administratës ushtarake rajonale Kherson, i emëruar nga Ukraina.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë pretendoi të martën se forcat ukrainase pësuan “humbje të rënda”, gjatë një përpjekjeje të pasuksesshme për të avancuar në jug të rajonit të Donetsk të hënën.
Bakhmut ka qenë prej muajsh në qendër të luftimeve të ashpra. Ka pak vlerë strategjike – por është simbolikisht i rëndësishëm si për Kievin ashtu edhe për Moskën./Lajmi i plotë.