“Kemi 17 vite që presim fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian. Prosperiteti i qytetarëve varet nga përmbushja e obligimeve të shtetit, përfshirë edhe amendamentet kushtetuese, sepse ky është një hap për të ardhmen e shtetit”, tha ministri i Punëve të Brendshme, Olvier Spasovski, në një intervistë për gazetën e Beogradit “Politika”.
Ai shtoi se është hipokrite të jesh vetëm deklarativisht pro anëtarësimit në BE, pa mbajtur përgjegjësi politike për këtë.
“Në periudhën e ardhshme duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet që përmes dialogut parlamentar të arrihet një konsensus për ndryshimet kushtetuese. Opozita duhet të ambientohet me klimën evropiane, të angazhohet dhe të rishqyrtojë në mënyrë autokritike qëndrimet e saj”, tha Spasovski.
Ministri theksoi se Qeveria po bën gjithçka për të kontribuar në perspektivën evropiane të vendit dhe është i kënaqur që këtë e njohin edhe partnerët strategjikë.
“Përpara nesh janë reformat ekonomike dhe gjyqësore, reformat sistematike për të forcuar politikën kundër korrupsionit dhe shtetin e së drejtës. Askush nuk mbrohet më nga sanksionet, madje as zyrtarët e qeverisë aktuale. Në vitin 2021 janë zbuluar 50 për qind më shumë krime lidhur me korrupsionin dhe janë parandaluar pazare korruptive në vlerë prej rreth 149 milionë denarë, ndërsa në vitin 2022 janë zbuluar 124 krime korruptive”, tha Spasovski.