Për shkak të kërkesës për përjashtim të dy gjykatësve nga trupi gjykues, është anuluar seanca e sotme publike për rastin “Monstra” në Gjykatën Supreme. Sipas avokatëve dy gjykatësit duhet të përjashtohen pasi që ata kanë qenë pjesë e trupit gjykues për rastin e përleshjes me armë zjarri në një fermë në Belimbegovë gjatë vitit 2009, rast në të cilin është i dënuar Fejzi Aziri. Avokatët presin që të tërhiqen dy anëtarët, pasi që ata kanë vendosur për një lëndë e cila është segment i rastit “Monstra”. Gjykata e Apelit ka konfirmuar dënimet e të akuzuarve për rastin “Monstra”, gjegjësisht burgim të përjetshëm për Alil Demirin dhe vëllezërit Agim dhe Afrim Ismailoviq, ndërsa i akuzuari Haki Azirin u dënua me 9 vite burg dhe Fejzi Aziri me 15 vjet burg. Vetëm i pandehuri Sami Luta u shpall i pafajshëm.
“Kërkuam ne si palë mbrojtëse, konkretisht avokati Asmir Alispahiq kërkoi që dy nga anëtarët e Këshillit Gjyqësor që mos të jenë pjesëmarrës në këtë trup gjykues, pasi kanë qenë të përfshirë në stadiumet e mëparshme për vendosjen e këtij lajmi dhe sipas ligjit për procedurë penale kjo është e ndaluar”- deklaroi Naser Raufi, Avokat.
“Në thelb bëhet fjalë për kërkesë ligjore të cilën për të cilën gjykata sipas autorizimeve zyrtarë duhet të ketë kujdes në këtë drejtim. Dy nga pesë anëtarët e trupit gjykues ka marrë pjesë në procedurën e rregullt ankimore në gjykatën e Apelit në Shkup”- tha Asmir Alispahiq, Avokat.