Kryetari i komunës së Mavr
ovës dhe Rostushës, Medat Kurtovski, me rastin e 4 majit, ditës së komunës, i dha çmirënjohje zëvendëskryeministrit të Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqit, për kontributin e tij në ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit në fshatin Skudrinje përmes Programit TAV.
Në këtë solemnitet, kryetari i komunës Kurtovski falënderoi zëvendëskryeministrin Bytyqi për ndihmën në ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit në fshatin Skudrinje, por edhe Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për realizimin e projekteve të ndryshme infrastrukturore në komunën e tyre.
Në fjalimin e tij para banorëve të komunës së Mavrovës dhe Rostushës, zëvendëskryeministri Bytyqi falënderoi për mirënjohjen dhe fjalët miradije, por nënvizoi se është detyrë e tij si zëvendëskryeministër që të punojë në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
“Ndihem i nderuar, por kjo është detyra jonë si Qeveri që të përmirësojmë cilësinë e jetës së të gjithë qytetarëve tanë, siç është shembulli i financimit të ndërtimit të rrjetit të ujësjellësit në fshatin Skudrinje përmes Programit TAV”, tha Bytyqi para të pranishmëve.
Zëvendëskryeministri theksoi se përveç në Mavrovë dhe Rostushë, përmes programit TAV po punohet në projekte infrastrukturore edhe në komunat tjera.
“Dhe jo vetëm në komunën e Mavrovës dhe Rostushës, në mbarë vendin po ndërtojmë ujësjellës, kanalizime, salla sportive, rrugë dhe rrugica, kopshte, shtëpi për të moshuar, qendra rinore, projekte infrastrukturore të rëndësishme për qytetarët që jetojnë në këto komuna”, tha Bytyqi.
Zëvendëskryeministri Bytyqi informoi se 70% e projekteve të filluara nga programi TAV janë realizuar në afatin e paraparë, ose janë përfunduar 56 projekte në 56 komuna dhe se në 25 projekte të tjera janë duke u punuar dhe janë planifikuar të përfundojnë deri në fund të vitit me të cilin Qeveria forcon infrastrukturën lokale, që do të thotë që bashkëqytetarët tanë të kenë infrastrukturë cilësore dhe kushte më të mira jetese.